Fushata 'Dhuna nuk ka justifikim' përmbyllet në Prishtinë

Në qendër të Prishtinës fëmijët e Asambleve Komunale dhe të grupit Respect Our Rights  kanë mbyllur fushatën senzibilizuese “Dhuna nuk ka justifikim”.

 Me simbolet e fëmijëve të vendosura në sheshin “Skënderbeu” fëmijët kanë bërë thirrje që dhuna të mos jetë e pranishëm në jetën e tyre.

Me sloganet “Dhuna nuk është disiplinë”, “Asgjë më shumë dhe asgjë më pak se siguri”, “Rritëm me dashuri”, “Dhuna nuk ka justifikim”, “Prindërit e mi duhet të më mbrojnë, jo të më rrahin”, pankartat në formë të fëmijës kanë qëndruar në shtatë qytetet më të mëdha në Kosovë.

Aktivitet për këtë fushatë kanë filluar më 24 tetor të këtij viti dhe kanë përfunduar më 10 nëntor 2021.

Naser Lajqi nga Organizata “Syri i Vizionit” ka treguar për qëllimin e kësaj kampanje.

“Dhuna nuk ka justifikim’, është në kuadër të kampanjës së organizatës Syri i Vizionit në kuadër të fushatës vetëdijësuese “Rrite me dashni”, përmbyllet me komunën e Prishtinës, pas shtatë qendrave që ka fillu më datën 24 tetor. Qëllimi i këtyre fushatave është senzibilizimi i shoqërisë lidhur me ekzistimin e ligjit për mbrojtjen e fëmijës dhe krijimin e mekanizmave që parasheh ky ligj, që shteti i Kosovës të fillojë menjëherë me krijimin e mekanizmave qoftë në nivel lokal apo nacional”, ka thënë Lajqi.

Në anën tjetër, Habit Hajredini, drejtor i Zyrës për Qeverisje të Mirë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit ka bërë të ditur se ligji për mbrojtjen e fëmijëve obligon institucionet e Republikës së Kosovës që të punojnë në mënyrë të vazhdueshme për informim të qytetarëve.

“Ligji për mbrojtjen e fëmijëve ka hy në fuqi, Qeveria e Kosovës është e angazhuar për zbatim dhe në bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile, në rastin konkret e “Syrin e Vizionit” dhe “Save the Children” kemi fillu fushatën, janë aktivitete në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, ka thënë Hajredini.

Fëmijët kanë shpërndarë stiker me mbishkrimet që dhuna të mos jetë e pranishme në fëmijërinë e tyre.