Foto: Ministria e Drejtësisë

Fushata “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës në bazë gjinore”, liderët e institucioneve theksojnë rëndësinë e fuqizimit të grave

Në kuadër të fushatës globale “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”, sot, më 09.12.2024, në Kuvendin e Republikës së Kosovës u mbajt një aktivitet, ku gratë në pozita udhëheqëse diskutuan për sfidat dhe mundësitë për avancimin e barazisë gjinore dhe luftën kundër dhunës me bazë gjinore.

Pjesëmarrëse në këtë aktivitet kishte gra nga politika, gjyqësori, Policia dhe shoqëria civile.

Fjalë hyrëse mbajtën kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, e ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Konjufca në fjalimin e tij theksoi se është rritur ndjeshëm numri i raportimeve të rasteve të dhunës në institucionet përkatëse.

“Jemi dëshmitarë se numri i rasteve të dhunës ndaj grave viteve të fundit është rritur, por po ashtu është rritur ndjeshëm edhe raportimi i rasteve të tilla në institucionet përkatëse” – tha ai.

Tutje, sipas Konjufcës, kjo tregon se sa e rëndësishme është që çdo grua dhe vajzë që përjeton dhunë të çfarëdo forme, ta denoncojë atë dhe të kërkojë ndihmën e institucioneve dhe ta marrin ndihmën që ato e meritojnë.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, nënvizoi përkushtimin e Ministrisë për luftën kundër dhunës ndaj grave dhe për promovimin e barazisë gjinore.

Ajo para pjesëmarrësve prezantoi masat dhe politikat konkrete të ndërmarra deri më tani.

“Dhunës me bazë gjinore i duhet dhënë fund përmes një përkushtimi të përbashkët institucional dhe shoqëror. Ky nuk është vetëm një detyrim ligjor, por një obligim moral dhe shoqëror për të siguruar një të ardhme të sigurt dhe të drejtë për vajzat dhe gratë në Kosovë” – theksoi ministrja Haxhiu.

Në pjesën e dytë të aktivitetit u mbajt diskutimi me temën “Roli i legjislativit në adresimin e dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës me bazë gjinore”, i udhëhequr nga nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci.

Panelistët ndanë mendimet e tyre mbi sfidat dhe masat që duhet të ndërmerren për të rritur përfaqësimin e grave në pozita kyçe, duke theksuar nevojën për politika të qëndrueshme dhe edukim të vazhdueshëm mbi barazinë gjinore.

Përpos kësaj, ministrja Haxhiu vizitoi edhe “dhomën mike” në stacionin e Policisë së Kosovës në Leposaviq.

Aty Haxhiu u njoftua me mënyrën se si kjo dhomë funksionon, duke u shpjeguar se si në këtë dhomë priten viktimat e dhunës në familje.

Fushata “16 ditë aktivizëm kundër dhunës me bazë gjinore” është një platformë globale që synon rritjen e ndërgjegjësimit dhe mobilizimin për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave dhe vajzave. Ky aktivitet shërben si një mundësi për të forcuar bashkëpunimin ndërinstitucional dhe për të promovuar rëndësinë e rolit të grave në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe më të barabartë.