Foto: KALLXO.com

Fushata “16 ditë të aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”, ministrja Haxhiu takoi vajza e gra të komunitetive rom, ashkali e egjiptian

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, të dielën, më 01.12.2024, ka vazhduar aktivitetet në kuadër të fushatës “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”.

Një prej aktiviteteve të cilat ajo e zhvilloi gjatë ditës ishte vizita në ekspozitën e grave të Organizatës “Orkidea” në qendrën kulturore “Yunus Emre”.

Ministrja theksoi se që nga viti 2021 e deri tani kanë ndërmarrë shumë veprime që kanë për qëllim të mbrojnë vajzat dhe gratë në Republikën e Kosovës në mënyrë që ato të jetojnë të lira dhe pa frikë.

“Në mënyrë që vajzat dhe gratë në Republikën e Kosovës askush të mos i konsiderojë si prona apo si objekt i burrave” – tha Haxhiu.

“Kemi mundësuar ndihmën juridike falas për viktimat. Tashmë secilës viktimë në Republikën e Kosovës, pavarësisht gjendjes, i ofrohet ndihmë juridike nga shteti edhe për çështje penale, edhe për çështje civile, edhe për çështjet administrative” – shtoi tutje Haxhiu.

Ministrja theksoi edhe faktin se Ministria e Drejtësisë e bën kompensimin e viktimave të krimit dhe tashmë numri i rasteve që përfitojnë nga kompensimi tha se është duke u shtuar në vazhdimësi.

“Ne kemi mundësuar 3 milionë euro për dy vite si mbështetje për strehimore dhe organizata që merren me çështje sociale dhe familjare dhe ky buxhet do të rritet edhe vitin tjetër” – tha Haxhiu.

Në fund të këtij takimi, Haxhiu shtoi se vajzat dhe gratë në Republikën e Kosovës duhet të trajtohen njësoj si djemtë dhe burrat.

Ministrja Haxhiu gjatë ditës së sotme po ashtu zhvilloi edhe një bashkëbisedim me gratë dhe vajzat nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian në Prizren.

Gjatë këtij takimi u diskutua rreth sfidave të tyre në raportimin e dhunës në baza gjinore dhe rreth nevojës për mbrojtjen e të drejtave të grave dhe vajzave.