FOTO: Ejup Maqedonci, Facebook
Furnizimi me ushqim për FSK-në: Presidentja fton në takim komandantin dhe ministrin
Presidentja Vjosa Osmani ka kërkuar një raport të detajuar nga Komandanti i Forcave të Sigurisë së Kosovës në lidhje me situatën e krijuar ditëve të fundit sa i përket furnizimit me ushqim për pjesëtarët e FSK-së.
Përveç raportit, Presidentja Osmani ka ftuar në takim komandantin Bashkim Jasharin dhe Ministrin e Mbrojtjes Ejup Maqedoncin.
Kështu ka konfirmuar për KALLXO.com këshilltari për media në presidencë, Bekim Kupina.
“Presidentja Osmani ka përcjellë me shqetësim situatën e krijuar ditëve të fundit sa i përket furnizimit me ushqim të ushtarëve të FSK-së, ndaj menjëherë ka kërkuar raport të detajuar nga komandanti i FSK-së. Poashtu i ka ftuar në takim për ta diskutuar këtë çështje edhe më në detaje komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant Jashari, por edhe Ministrin e Mbrojtjes z.Maqedonci”- ka thënë Kupina për KALLXO.com.
Tutje ai shtoi edhe se presidentja angazhohet, brenda kompetencave të saj, në funksion të zgjidhjes së problemit të shfaqur që ndikon pashmangshëm në operacionalitetin e FSK-së, procesin zhvillimor të saj, imazhin dhe integritetin e saj institucional.
“Përndryshe, Presidentja Osmani ka kohë që ka bërë propozimin për program shtetëror për mbështetjen e shumëdimensionale të FSK-së që ndikon direkt në rritjen e mirëqenies socio-ekonomike të saj, njëherit edhe motivin e tyre. Mirëpo, ky program ka nevojë që të ketë mbështetje buxhetore në ligjin për buxhetin e Republikës së Kosovës, i cili propozohet nga Qeveria dhe miratohet në Parlament”- ka thënë tutje Kupina.
Sipas tij programi 7 pikësh përfshin, pagesat e shtesave për rrezikshmëri, pagesat e kujdestarisë dhe punës jashtë orarit, pagesat e mëditjeve për pjesëtarët e FSK-së gjatë shkollimit dhe trajnimit jashtë vendit (gjatë tërë periudhës së shkollimit apo trajnimit e jo vetëm për 1 muaj), sigurimin shëndetësor, funksionalizimi i spitalit ushtarak me shërbime të nivelit sekondar dhe terciar mjekësor, përmirësimin e cilësisë së ushqimit me standardet me të larta shëndetësore dhe sanitare, sigurimi i banimit të përballueshëm për ushtarakët dhe familjet e tyre si dhe krijimin e fondit kreditues për ushtarakët.
“Realizimi i këtij programi mbështetës, gjithashtu ndikon në fuqizimin e operacionalitetit të FSK-së, në kohën e tranzicionit e zhvillimit të saj me qëllim të realizimit të detyrave ligjore dhe misionit kushtetues të saj për mbrojtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit shtetëror”- ka thënë Kupina.
Ai ka shtuar se përgjatë ditëve në vijim, pas takimeve të radhës me institucionet relevante, do të mund të japin më shumë detaje lidhur me këtë çështje.
Ministria e Mbrojtjes ka reaguar në disa postime të publikuara në faqen e tyre zyrtare në Facebook në lidhje me furnizimin me ushqim.
“Të gjitha kazermat e FSK-së janë funksionale dhe po shërbehet llojllojshmëri shujtash pavarësisht nga ajo që po tentohet të propagandohet në disa medie dhe rrjete sociale. E vërteta është se nuk ka mungesë të ushqimit dhe as të cilësisë, pasi të njëjtat produkte bazë përdoren në çdo shtëpi në Kosovë, e vetmja gjë me të cilën po përballemi është mungesa në numër e stafit teknik mbështetës, pasi kuzhinierët veçse i kemi angazhuar në këtë periudhë si rezultat i marrëveshjes me Qendrën Studentore si dhe Shërbimin Korrektues të Kosovës”- thuhet në reagimin e fundit të MM-së në Facebook me datë 11.10.2024.
Sipas tyre problem do të zgjidhet sapo të mbyllet konkursi për pranimin e stafit profesional vetanak, konkurs ky që është hapur dhe çdo procedurë do të përfundoj në afat prej 45 ditësh.
“Ndërsa letra drejtuar Ministrit të Mbrojtjes nga Komandanti i FSK-së është në vazhdën e komunikimit të zakonshëm ku raportohen vështirësitë të cilat hasen gjatë rrugës, dhe sigurisht se ndërtimi i kapaciteteve të vetqëndrushmërisë sa i përket ushqimit nuk është një proces pa vështirësi”- thuhet tutje në njoftim.
KALLXO.com në shtator publikoi edhe hulumtimin për historinë e tenderëve njëburimor që Ministria e Mbrojtjes I dha për ushqimin e ushtarëve të FSK-së.
Historia e ‘tenderëve njëburimor’ të Ministrisë së Mbrojtjes për ushqimin e ushtarëve të FSK-së
Ministria e Mbrojtjes që nga tetori i vitit 2023 e deri në shtator 2024 ka dhënë tre tenderë me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, kompanive të cilat ishin shpallur të pa përgjegjshme nga ana e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), të njohur ndryshe si Gjykata e Tenderëve.
Kontratat e dhëna janë në vlerë miliona euro, ndërsa janë për furnizim me ushqim për nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Ndjekja e procedurës së negociuar për furnizimin me ushqim për ushtarët është kritikuar nga opozita, duke e cilësuar si të dyshimtë zgjedhjen e kësaj procedure, ndërsa Ministria ka thënë se nevoja ka qenë emergjente dhe për këtë arsye është zgjedhur kjo procedurë.