Fotografi e publikuar nga presidentja Vjosa Osmani në Facebook
"Fuqizimi i pozitës ndërkombëtare", Osmani pritet nga Macron në Samitin e Frankofonisë
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, Zonja e Parë Brigitte Macron dhe Sekretarja e Përgjithshme e Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë Louise Mushikiwabo e kanë pritur presidenten Kosovës, Vjosa Osmani, në Samitin e krerëve të shteteve të Frankofonisë.
“Kosova mbetet gjithnjë e përkushtuar për bashkëpunim dhe për fuqizim të pozitës së saj ndërkombëtare”- ka shkruar Osmani në Facebook më 04.10.2024.
Presidentja Osmani po qëndron në Francë me ftesë të presidentit Macron dhe të Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë, ku po e përfaqëson Republikën e Kosovës në Samitin e krerëve të shteteve të kësaj organizate.
Në Francë për Frankofoninë po qëndron edhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz.
Më 4 dhe 5 tetor, Samiti i Frankofonisë do të zërë dy vende ikonike të Francës: Cité Internationale de la Langue Française në Villers-Cotterêts Château dhe Grand Palais në Paris.
Misionet e Samitit i Frankofonisë janë: promovimi i gjuhës frënge dhe diversitetit kulturor e gjuhësor; promovimi i paqes, demokracisë dhe të drejtave të njeriut; si dhe mbështetja e arsimit, trajnimit, arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor.