Foto: Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Fuqizimi i marrëdhënieve dypalëshe, Kosova e Vanuatu nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi
Republika e Kosovës ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me shtetin që shtrihet në Paqësorin Jugor, Vanuatu.
Në Port Vila të Vanuatus, zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti dhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Bashkëpunimit Ndërkombëtar dhe Tregtisë së Jashtme i Vanuatus, Matai Seremaiah, nënshkruan Memorandumin për Bashkëpunim në mes dy ministrive, njofton MPJD.
Ministria bën të ditur se gjatë takimit, zëvendësministri Ahmeti dhe zëvendëskryeministri, Seremaiah, vlerësuan lartë marrëdhëniet mes dy vendeve dhe diskutuan mbi mundësitë e fuqizimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe koordinimin shumëpalësh.
Ahmeti gjatë qëndrimit të tij zyrtar në disa nga vendet e Oqeanisë, është takuar me kryeministrin e Republikës së Fixhit, Sitiveni Rabuka, me të cilin ka diskutuar për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe, me theks të veçantë për marrëveshjen në proces lidhur me konsultimet politike mes dy vendeve.
Sipas të dhënave të enciklopedisë Britannica, Vanuatu, është vend në jugperëndim të Oqeanit Paqësor, i përbërë nga një zinxhir prej 13 ishujsh kryesorë dhe shumë të vegjëlve të vendosur rreth 500 milje (800 km) në perëndim të Fixhit, si dhe 1,100 milje (1,770 km) në lindje të Australisë. Ishujt shtrihen në veri-jug për rreth 400 milje (650 km) në një formë të parregullt Y.
Vanuatu arriti pavarësinë në vitin 1980. Emri Vanuatu do të thotë “Toka jonë përgjithmonë” në shumë nga gjuhët melaneziane të përdorura në vend. Kryeqyteti, qyteti më i madh dhe qendra tregtare është Port-Vila (Vila), në Éfaté.