Funksionalizohet linja interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri

KOSTT ka njoftuar se pas më shumë se katër vite që nga përfundimi i ndërtimit të linjës interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri në të dy anët e kufirit, sot përfundimisht linja e njohur si “Autostrada Energjetike Kosovë-Shqipëri” komercialisht është vënë në funksion.

Sipas komunikatës së dërguar për media kjo vjen si rezultat i fillimit të operimit të KOSTT si zonë rregulluese në kuadër të Bllokut rregullues Shqipëri-Kosovë.

“Vënia në operim e linjës interkonektive të tensionit të lartë 400kV Kosovë-Shqipëri do të ketë impakt pozitiv në optimizimin e dy sistemeve, rritjen e kapaciteteve transmetuese,  rritjen e sigurisë dhe besueshmërisë së sistemeve elektroenergjetike të Kosovës, Shqipërisë dhe regjionit si dhe do të ndikojë në zhvillimin e tregut të të dy vendeve si dhe tregut rajonal të energjisë elektrike”, thuhet në komunikatë.

Sipas komunikatës ky sukses i sotshëm ua hap rrugën projekteve të tjera të përbashkëta.

“Në një video lidhje direkte e cila u realizua sot me Operatorin e Sistemit të Transmetimit të Shqipërisë, Kryesuesi i Bordit të KOSTT z.Jeton Mehmeti dhe zv.Kryeshefi i KOSTT z.Kadri Kadriu shprehën falënderimin e tyre të veçantë për bashkëpunimin e vazhdueshëm profesional nga ana e menaxhmentit të OST Shqipëri me ç’rast u theksua që angazhimi shumë vjeçar i dy operatorëve KOSTT dhe OST sot është kurorëzuar me operacionalizimin e Bllokut AK, linjës interkonektive 400kV Kosovë-Shqipëri si dhe projekteve tjera të përbashkëta në zhvillim siç është bursa e energjisë ALPEx”, thuhet tutje aty.

Sipas njoftimit ky investim në vlerë të përgjithshme prej 33.5 milionë euro për pjesën e Kosovës, nga e cila 16.5 milionë euro grant + 17 milionë euro kredi u financua nga Qeveria gjermane nëpërmes Bankës Gjermane për Zhvillim-KfW. Ngjashëm, Qeveria gjermane nëpërmjet KfW gjithashtu ka financuar pjesën e linjës në anën e Republikës së Shqipërisë.