Rektori i UP-së, Arben Hajrullahu në Fakultetin e Mjekësisë, Foto: UP

Funksionalizohet evidentimi elektronik i mbajtjes së mësimit në Universitetin e Prishtinës

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka njoftuar se është inauguruar funksionalizimi i evidentimit elektronik të mbajtjes së procesit mësimor përmes skanimit të QR kodeve.

Inaugurimi është bërë gjatë një vizite të menaxhmentit dhe rektorit të UP-së, Arben Hajrullahu në Fakultetin e Mjekësisë në UP më 13.12.2024.

“Vendosja e plotë e këtij sistemi shënon një hap të rëndësishëm drejt modernizimit dhe lehtësimit të monitorimit të procesit mësimor, duke mundësuar mbajtjen e evidencave në mënyrë të saktë dhe efikase” – thuhet në njoftimin e UP-së, më 16.12.2024.

Rektorin Hajrullahu e kanë shoqëruar në këtë vizitë edhe prorektorët Naim Jerliu, Albana Berisha-Qehaja, Rozafa Basha e Avni Hajdari, të cilët i kanë takuar dekanin e Fakultetit të Mjekësisë në UP, Sefedin Muçaj, prodekanët, shefat e departamenteve të Mjekësisë së Përgjithshme, Stomatologjisë, Farmacisë, Fizioterapisë dhe Infermierisë, si dhe me përfaqësuesit e studentëve.

Sipas UP-së, në takimin me stafin drejtues të fakultetit është diskutuar për mbarëvajtjen e procesit mësimor, si dhe sfidat e planet për zhvillimin e mëtejshëm të Fakultetit të Mjekësisë.

“U theksua rëndësia e angazhimit të përbashkët për përmirësimin e mjedisit akademik dhe krijimin e kushteve të favorshme për zhvillimin profesional të studentëve dhe stafit, si dhe zhvillimin e kapaciteteve kadrovike dhe përmirësimin e infrastrukturës mësimore dhe të hulumtimeve shkencore” – ka njoftuar UP.

Kurse, me përfaqësuesit e studentëve UP thotë se u trajtuan tema të ndryshme në lidhje me përmirësimin e kushteve të studimit.

“Rektori dhe ekipi i tij vizituan disa prej laboratorëve dhe hapësirave mësimore në Fakultetin e Mjekësisë, duke vlerësuar investimet e kryera dhe ato të planifikuara për të ardhmen. Ata gjithashtu panë edhe hapësirat dhe mundësitë që ofron biblioteka e fakultetit” – ka shtuar UP.

Universiteti konsideron se kjo vizitë “reflekton përkushtimin e menaxhmentit të UP-së për të ndjekur nga afër nevojat e fakulteteve dhe për të siguruar një mjedis sa më të përshtatshëm për zhvillimin akademik dhe profesional të studentëve dhe stafit akademik.”