Foto: Ilustrim

Fundviti me rritje çmimesh, shtrenjëtohet djathi, vezët dhe qumështi

Në periudhën e fundvitit 2020 çmimi i produkteve bazë të konsumit si djathit, vezës dhe të qumështit ka pësuar rritje.

Sipas raportit të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), në muajin nëntor 2020, çmimi i qumështit, djathit dhe të vezëve është ngritur për 2.6%, krahasuar me muajin paraparak, tetor 2020.

Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit, sipas ASK-së, është më i lartë në një mesatare prej 0.1% në muajin nëntor 2020, krahasuar me muajin tetor 2020.

Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve te nëngrupet e COICOP-it (klasifikimi i konsumit individual sipas qëllimit).

“Çmimet e qumështit, djathit dhe vezët janë rritur për 2,6%, vajrat dhe yndyrnat 1,5%, perimet 3,1%, lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet 0,4%, me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0,3 për qind në IHÇK-it”, thuhet në raport.

Ndërsa rënie e çmimeve është vërejtur te produktet e tjera të COICOP-it, si përshembull pemët -3.9%, veshjet -2.4%, me një ndikim të përbashkët të këtyre produkteve prej -0.2%.

Krahasuar me vitin 2019, ka rënie të çmimeve prej -0.3%

Indeksi i çmimeve të konsumit ka pësuar rënie në një mesatare prej –0.3% në nëntor 2020, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2019.

ASK-ja thotë se kjo kryesisht është shpjeguar me rënien e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te produktet e COICOP-it: pemët -5.4%, veshjet -2.7% , gazi -3.1%, blerja e automjeteve -1.7%.

Por, gjithashtu krahasuar me vitin 2019, në të njejtën periudhë nëntor 2020, çmimet e produkteve bazë të konsumit kanë pësuar rritje.

Kështu përshembull buka dhe drithërat janë rritur për 2.6%, mishi 1.3%, qumështi, djathi dhe vezët 2.6% , vajrat dhe yndyrat 3.4%, perimet 6.7%, sheqeri, reçeli, mjalta, çokollata dhe ëmbëlsirat 2.5%, uji, pijet joalkoolike, lëngjet nga pemët dhe perimet 1,2%, duhani 1.9%, lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet 1.1%.

Indeksi i Harmonizuar i Çmimieve të Konsumit (IHÇK) të Kosovës, i prodhuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), është i përpiluar sipas metodave të IHÇK. Eurostati e ka definuar IHÇK si standard Evropian për indekset e çmimeve të konsumit. Indeksi i kalkuluar dhe rezultatet e tyre prezantohen përmes Klasifikimit të Konsumit Individual sipas Qëllimit (COICOP), klasifikim ky ndërkombëtarë i cili klasifikon konsumin në Divizione, Grupe dhe Klasa artikujsh.

Çmimet e prezantuara nga ASK-ja, mblidhen në supermarkete, ndërmarrje shërbyese, dyqane, tregje dhe pika tjera të shitjes me pakicë në katërmbëdhjetë komuna të Kosovës.