Pika e përbashkët e kalimit kufitar Shqipëri-Kosovë në Morinë të Kukësit. Foto: Bashkim Shala

Fundjava pa kontrolle e regjistrime në kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë

Nga e shtuna, në fundjavat gjatë sezonin veror, kalimi i kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë po bëhet pa kontrolle dhe pa regjistrime.

Ky lehtësim i lëvizjes nga të dy anët e kufirit vjen pas marrëveshjes që u arrit në mbledhjen e dy qeverive.

Lëvizja pa pengesa në pikat e kalimit kufitar Shqipëri-Kosovë ka shtuar fluksin e mjeteve dhe të kosovarëve drejt bregdetit shqiptar.

Në Morinë, fluksi i madh ka qënë që në orët e hershme të mëngjesit….

Në sportelet e doganës, Policia kufitare në Morinë nuk ka kërkuar dokumentet dhe nuk i ka regjistruar qytetarët e Kosovës.

“Në asnjë moment nuk na kontrolluam dokumentat. Kaluam pa problem.”, u shprehën qytetarët.

Marrëveshja mes dy shteteve ka mundësuar që deri më 30 shtator për çdo fundjavë dhe festë zyrtare, qytetarët të mos regjistrohen nga Policia e Kosovës dhe Shqipërisë.

Ndërkohë, edhe pse në kufi rradhet jane zhdukur, ato duket se janë spostuar tek vendpagesa e autostradës në Kalimash.

Edhe pse ishin marrë masa për shtimin edhe të dy sporteleve, trafiku ishte i lartë./Euronews