FSSK: Punëtorët shëndetësorë po neglizhohen nga ministri Vitia

Paraditen e së premtes, Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSSK) organizoi një protestë simbolike para ndërtesës së Ministrisë së Shëndetësisë për t’i shprehur edhe një herë pakënaqësitë kundrejt ministrit Vitia, i cili sipas tyre i ka injoruar kërkesat e punëtorëve shëndetësorë.

“Mu në këtë ndërtesë, zotri Ministër, Arben Vitia, përgjatë gjithë këtyre muajve, mu ne kohën e pandëmisë, e ka neglizhu totalisht punëtorin shëndetësor dhe ka ndërprerë çdo dialog social. Ka qenë vetëm një takim i vetëm, atëherë kur ne kemi ofru ndihmë për vaksina dhe asgjë më tepër”, u shpreh Blerim Syla, kryetar i FSSK-së.

Megjithëse në korrik FSSK-ja kishte paralajmëruar protesta radikale gjatë muajit shtator në rast se kërkesat e tyre nuk përmbushen, ata sot e organizuan protestën në mënyrë simbolike, me pankarta dhe deklaratë për media.

“Edhe pse kërkesat [e protestuesve] kanë qenë që [protesta] të radikalizohet, ne kemi pasur kujdes ta ruajmë shëndetin dhe t’i bëjmë shërbimet qysh i bëjmë çdo ditë”.

Në deklaratën e tij, Syla tha së ministri nuk është munduar fare të dialogojë për kërkesat e punëtorëve shëndetësorë e as që ato të adresohen përmes tij në Qeverinë e Kosovës.

“Është momenti i fundit që zotri Vitia të deklarohet a do të jetë ministër i të gjithëve apo do të na lë edhe më tutje nën mëshirën e fatit, siç kanë mbetur punëtorët shëndetësorë. Duke mbetur punëtorët shëndetësorë nën mëshirën e fatit, të jeni të bindur se janë duke mbetur edhe pacientët tanë”, shtoi Syla.

“Nuk është e vërtetë që kemi mjaftueshëm barna; nuk është e vërtetë që janë dhënë shtesat të cilat na takojnë; nuk e ka nxjerrë udhëzimi administrativ bazuar në Ligjin anti-Covid; dhe për marrën më të madhe që e ka bë, është që [ministri] është deklaru se si ndihmë ai e konsideron dhënien e vaksinave të punëtorëve shëndetësorë”.

“Ky është një manipulim. Është për turp. Është edhe ofendim”, përfundoi ai.

Me qëllim që kërkesat e FSSK-së t’i bëhen të ditura direkt kryeministrit, ata thanë se kërkesat e tyre do të shpalosen në pjesën e dyte të protestës që di ta mbahet në orën 13:00 para objektit të Qeverisë së Kosovës.

 

Në pankartat e protestuesve shkruhej:

Pagesa dhe kushte te mira per punëtorët shëndetësorë

Stop diskriminimit të mantelbardhëve

Meritokraci jo lëmoshë

Hartimi me urgjencë i ligjit të pagave

Paga të dinjitetshme për punëtorët shëndetësorë

Mos harroni punëtorët shëndetësorë

Stop diskriminimit të punëtorëve shëndetësorë nga politik bërja