Mjek - Foto: REL/Wikipedia Commons

FSShK paralajmëron grevë për më 21 dhjetor nëse nuk ftohen për të diskutuar për Projektligjin e pagave

Këshilli drejtues i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë ka lajmëruar së këshilli qendror grevist është autorizuar që më 21 dhjetor (e martë) të mbajë grevë të përgjithshme 24-orëshe në të gjitha institucionet publike shëndetësore lidhur me pakënaqësitë e tyre për mosmiratim të Projektligjit të pagave.

FSShK ka lajmëruar se do të hynë në grevë nëse nuk do të realizohet asnjë takim për diskutimin për Projektligjin e pagave.

“Këshilli Drejtues i FSSHK-së në mbledhjen e mbajtur sot ka vendosur unanimisht që ti hap rrugë dialogut social duke iu adresuar edhe njëherë krerëve institucional sikurse Ministrit të Shëndetësisë, Ministrit të Punëve të brendshme dhe administratës, Komisionit Parlamentar për Shëndetësi dhe mirëqenie sociale si dhe Komisionit për buxhet dhe financa, me të vetmen kërkesë, diskutimin dhe nxjerrjen e konkluzioneve të përbashkëta për Projektligjin e Pagave”, thuhet në komunikatë.

Këshilli drejtues i FSShK-së ka thënë së mirëpret nga të lartpërmendurit zhvillimin e takimeve më së largu deri të hënën më 20 dhjetor 2021.

FSShK ka thënë se këshilli drejtues është i prerë në artikulimin e kërkesave legjitime të punëtorëve shëndetësorë por edhe vigjilent para një situate tejet të rënduar të institucioneve shëndetësore me trajtimin e pacientëve pas përhapjes së gripit sezonal.

“Trajtimi me seriozitet dhe përparësi i këtyre kërkesave do të jetë kruciale për vazhdimin e veprimeve sindikale”, thuhet në njoftimin e tyre.

Disa ditë më parë Federata e Sindikatave të Shëndetësisë ka protestuar për të shprehur pakënaqësitë e tyre për mosmiratimin e Projektligjit të pagave për sektorin publik si dhe implementimin e Ligjit për pagat në buxhetin e vitit 2022.

Blerim Syla: Qeveria Kurti na detyroi të ndahemi për tetë orë nga pacientët