FSK vazhdon kërkimet për 50 vjeçarin që dyshohet se është hedhur nga 'Ura e Fshajt'

Ekipet e Kërkim Shpëtimit në Ujëra të Forcës së Sigurisë së Kosovës gjatë ditës së djeshme kanë filluar me operacionin e kërkimit për gjetjen e trupit të 50 vjeçarit i cili është parë të hidhet nga “Ura e Fshajt” në Gjakovë.

Në njoftimin e FSK-së thuhet se kërkimet nga njësit e zhytësve të FSK-së së bashku me ekipet e Policisë kanë ndërprerë operacionin dje në orët e mbrëmjes për shkak të kushteve të vështira për kërkim, për të vazhduar sot që në orët e hershme të mëngjesit.

“Për shkak të ujit të turbullt dhe të rrëmbyeshëm ky operacion paraqet rrezikshmëri të lartë për personelin e angazhuar”, thuhet në njoftimin e FSK-së.

Tutje FSK ka njoftuar se pjesëtarët e FSK -së janë të gatshëm dhe të përgatitur profesionalisht për misione të tilla, dhe se të njëjtit janë të përkushtuar dhe në mbështetje të plotë të autoriteteve civile deri në gjetjen e personit.

Para tri ditëve, Policia ka njoftuar se një person është hedhur nga ‘Ura e Fshajt’ në Gjakovë.

Sipas Policisë, personi ishte parë nga një kalimtar duke u hedhur nga ura dhe i njëjti kishte parkuar veturën afër urës dhe në të kishte lënë një letër.

Sipas Policisë, deri më tani nuk dihet identiteti i personit dhe sipas tyre nuk ka asgjë të dyshimtë, por që dyshohet që i njëjti është i gjinisë mashkullore.

Gjakovë – Ndërpriten kërkimet për personin që dyshohet se është hedhur nga ura e Fshajt