FSK tregon se sa persona janë shpëtuar nga ngujimi në zonat e vërshimeve- FOTO

Forca e Sigurisë së Kosovës ka njoftuar se që nga 8 janari kanë pranuar disa kërkesa për ndihmë dhe mbështetje nga disa komuna në lidhje me menaxhimin e vërshimeve që ndodhën si pasojë e reshjeve të shiut dhe të borës që ndodhën ditëve të fundit në Kosovë.

“Njësitet e Kërkim – Shpëtimit në ujëra, me datën: 11.01.2021, gjatë ditës dhe natës kanë vepruar në rajonin e Drenasit, në fshatrat Poklek, Shtrubullovë e Komaran, ku kanë shpëtuar 43 qytetarë të ngujuar në shtëpitë e tyre”, thuhet në njoftimin e FSK-së.

Tutje thuhet se ekipet e Kërkim – Shpëtimit kanë intervenuar në fshatin Kuzmin të Fushë Kosovës, ku kanë shpëtuar 3 qytetarë të ngujuar në shtëpitë e tyre.

Operacionet e FSK-së, kanë vazhduar edhe me 10, 11 e 12 janar, për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve dhe institucioneve në përballimin e situatës emergjente.

“FSK-ja i ka dalë në ndihmë Policisë së Kosovës, në pengimin e  përmbytjes së objektit të Forenzikës të Policisë së Kosovës, ku janë angazhuar ekipet Xheniere të Gardës Kombëtare, gjithashtu kanë intervenuar edhe në Klinikën e Pulmologjisë në QKUK-së, ku kanë  penguar përmbytjen e objektit”, thuhet tutje në njoftimin e FSK-së.

FSK tregon se nevojë për evakuim të personave pati edhe në Klinë.

“Ekipet e Kërkim Shpëtimit, kanë shpëtuar dhe evakuuar 3 banorë të fshatit  Volljak të Klinës”, thuhet në njoftim deri sa shtojnë se më 12 janar, ekipet profesionale të FSK-së, kanë realizuar operacione të kërkim – shpëtimit edhe në komunën e Fushë Kosovës, Vushtrrisë dhe Prizrenit, ku kanë shpëtuar dhe evakuuar 16 persona.

Më datën 8 janar FSK ka thënë se, kanë pranuar kërkesat e para për mbështetje nga Komuna e Gjakovës,  përmes Institucioneve Qeveritare për t’i mbështetur autoritetet civile, për zhvendosjen dhe strehimin e 55 qytetarëve në Aeroportin e Gjakovës.

FSK ka njoftuar se është në gjendje gatishmërie 24 orë në 7 ditë të javës për të intervenuar me kapacitetet e saj operacionale, duke ju përgjigjur kërkesave që vijnë nga institucionet shtetërore.

“Vërshimet kanë shkatërruar edhe infrastrukturën rrugore, ku janë dëmtuar disa ura. FSK-ja me ekipet e Xhenios, kanë bërë vlerësimin e urës së dëmtuar në fshatin Dobroshec të Drenasit dhe urës në fshatin Hajnoc të Kamenicës, me qellim të ngritjes së urave mobile të FSK-së  për të mundësuar lëvizjen e lirë të qytetarëve”, thuhet tutje në njoftimin e FSK-së.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për vërshimet dhe përmbytjet që kanë ndodhur në shumë komuna të Kosovës pas reshjeve të shiut e borës që ndodhën ditëve të fundit.