FSK-së i shtohen edhe 257 ushtarë

 

Forcës së Sigurisë së Kosovës nga sot i janë bashkuar edhe 257 ushtarë të rinj.

Në ceremoninë e betimit të këtyre rekrutëve të rinj e cila u mbajt në kazermën e Komandës dhe Doktrinës në Ferizaj, komandantja supreme e Ushtrisë së Kosovës, Vjosa Osmani u shpreh se me këtë numër të rekrutëve FSK-ja gjithnjë e më shumë po zhvillohet konform standardeve profesionale dhe në harmoni me praktikat e ushtrive më moderne në botë.

Presidentja u shpreh se anëtarësimi i Kosovës në NATO është domosdoshmëri dhe se në këtë drejtim po punojnë në përgatitjen më të mirë të ushtrisë së Kosovës.

“FSK-ja çdo ditë e më tepër po shndërrohet në forcë ushtarake profesionale dhe ndërvepruese me forcat e NATO-s falë këmbëngulësisë të pjesëtarëve të saj dhe mbështetje të përhershme nga institucionet e vendit, por edhe nga aleatet tanë perëndimor e para se gjithash nga SHBA-ja”, tha presidentja.

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj tha se Kosova nuk do të mund të ishte këtu ku është tani pa Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, derisa u shpreh se komandant i përjetshëm i ushtrisë së Kosovës është Komandanti Legjendar, Adem Jashari.