Foto: Ministria e Mbrojtjes/Facebook

FSK-së i shtohen edhe 12 kadetë të rinj

Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se Forcës së Sigurisë së Kosovës sot i janë shtuar edhe 12 kadetë të rinj.

Ceremonia e betimit të kadetëve është bërë në kazermën e FSK-së, “Adem Jashari” në Prishtinë.

Pjesëmarrës në këtë ceremoni ishin ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj; zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla; zëvendëskomandanti i FSK-së, gjeneralmajor Enver Cikaqi; zyrtarë dhe ushtarakë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, si dhe zyrtarë dhe ushtarakë ndërkombëtarë.

“Duke uruar kadetët për këtë ditë të veçantë në jetën e tyre, ministri Mehaj u theksoi se për katër vitet e ardhshme ata do të përgatiten për karrierë të përsosmërisë profesionale në shërbim të atdheut, si oficer në Ushtrinë e Republikës së Kosovës” – thuhet në njoftim.

Tutje është thënë se Mehaj ka kërkuar nga kadetët që për katër vitet e ardhshme të arrijnë zhvillimin e duhur ushtarak, fizik dhe moral dhe të formësohen në udhëheqës me karakter si qëllimi kryesor.

“Kjo do të na bëjë të gjithëve shumë të lumtur dhe krenar” – thuhet se është shprehur ministri Mehaj.

Në këtë ceremoni, zëvendëskomandanti i QSU-së, kapiten Albian Ajvazi, thuhet se njoftoi mbi historikun dhe të arriturat e QSU-së dhe synimet për të ardhmen në edukimin e kadetëve të kësaj gjenerate dhe gjeneratave që janë duke ndjekur aktualisht studimet në këtë Qendër.