FSK nis për Shqipëri ekspertët për vlerësimin e objekteve të dëmtuara nga tërmeti

FSK ka nisur për në Shqipëri grupin e ekspertëve për vlerësimin e objekteve të dëmtuara nga tërmeti.

Grupi i ekspertëve është nisur pas kërkesës së qeverisë shqiptare dhe me vendim të presidentit të Kosovës, Hashim Thaqi, me urdhër të komandantit të FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Ramës.

Ata do të vlerësojnë shkallën e dëmtimit të banesave dhe objekteve tjera nga dëmtimet e termeteve që kanë goditur Shqipërinë këto ditë.

Ky kontigjent është vazhdimësi e misionit të Njësive të specializuara të Gardës Kombëtare të FSK-së, që nga momentet e para pas goditjeve të tërmetit shkatërrues në Shqipëri ju kanë bashkuar operacioneve të kërkim-shpëtimit.

Më 26 nëntor, në orët e para të mëngjesit, Shqipëria u godit nga një tërmet vdekjeprurës me magnitudë 6.4 të shkallës Rihter, ku mbetën të vdekur 41 persona. Zonat më të prekura nga tërmeti janë Durrësi dhe Tumana.