Foto: FSK

FSK merr pjesë në stërvitjen ushtarake shumëkombëshe

Dhjetëra pjesëtarë të Forcës së Sigurisë të Kosovës po marrin pjesë në stërvitjen ushtarake “Albanian Effort 19”, e cila ka nisur sot dhe do të vazhdojë deri më 16 shtator.

Stërvitja po mbahet në poligonin ushtarak në Biza të Shqipërisë.

Kështu ka njoftuar Ministria e Mbrojtjes e Kosovës.

“Një Kontingjent i Forcës së Sigurisë të Kosovës, me personel nga Brigada e Reagimit të Shpejtë, me një Togë të këmbësorisë, duke përfshirë oficerë shtaborë për Kontrollin e Lartë (NONLART) dhe shtab në terren, Komanda e Doktrinës dhe Stërvitjes me vëzhgues kontrollues, i janë bashkuar  ushtrimit ,,Albanin Effort 19”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Tutje në njoftim bëhet e ditur se në këtë trajnim do të marrin pjesë 12 shtete: Shqipëria, ShBA, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Italia, Turqia, Kroacia, Polonia, Bullgaria, Mali i Zi, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

Sipas njoftimit, qëllimi i këtij trajnimi është ngritja e bashkëpunimit me partnerët.

“FSK-ja, në këtë ushtrim shumëkombësh, ka për qëllim ngritjen e bashkëpunimit me njësitë partnere, ngritjen profesionale dhe testimin e aftësive të  vendimmarrjes ushtarake në një mjedis shumëkombësh, për të testuar aftësitë e ndërhyrjes së përbashkët në kohë krizash”, thuhet tutje aty.

Mbajtjen e kësaj stërvitjeje ushtarake e ka paralajmëruar edhe ministrja e Mbrojtjes së Shqipërisë, Olta Xhaçka e cila përmes një postimi në Facebook ka thënë që Shqipëria mirëpret mbajtjen e kësaj stërvitjeje.

”Shqipëria mirëpret stërvitjen ushtarake me pjesëmarrjen e më shumë vendeve aleate e partnere se kurrë ndonjëherë, “Albanian Effort 19”, ka shkruar ajo.