FSK largon 75 mina në zonën kufitare Kosovë-Shqipëri

Ekipi i deminimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, kanë larguar 75 mina anti-personale në zonën kufitare Kosovë-Shqipëri, gjatë një operacioni dy ditor.

“Një operacion 2 ditor është zhvilluar nga ekipet e deminimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës me 28-29 nëntor 2021, në zonën kufitare Kosovë-Shqipëri që ka zgjatur deri në orët e vona dhe në mote të vështirë”, thuhet në një njoftim për media.

Tutje është thënë se minat anti-personale, kanë qenë të llojeve të ndryshme bashkë me pjesë përbërëse që ndodheshin në fshatin Zylfaj të komunës së Gjakovës dhe mjetet ishin identifikuar nga banorët e zonës.

“Puna profesionale e ekipeve të Deminimit të Gardës Kombëtarë, ka bërë që lokacioni të pastrohet nga këto mjete shumë të rrezikshme për qytetarët e kësaj zone. Ekipet tona mbeten të përkushtuara të ofrojnë mjedis të sigurt për të gjithë banorët e Republikës së Kosovës”, thuhet në fund.