Presidentja Vjosa Osmani, Kryeministri Albin Kurti dhe Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci bashkë me ushtarët e FSK-së, pjesë të ushtrimit “Ujku i Çeliktë”. Foto: FSK
FSK kryen ushtrimin fushor më të madh ndonjëherë, prezentë edhe presidentja Osmani e kryeministri Kurti
Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka përfunduar ushtrimin “Ujku i Çeliktë”, që siç tha ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, është më i madhi i realizuar ndonjëherë nga Ushtria e Kosovës dhe u krye me sukses të lartë nga mbi 1 mijë ushtarë.
Për ta parë këtë ushtrim, prezentë ishin edhe dy krerët e shtetit, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.
“Me anë të këtij ushtrimi gjithashtu është validuar regjimenti i dytë i komandës së forcave tokësore të cilët janë në gjendje të kryejnë detyra të veçanta dhe komplekse me efikasitet të lartë” – ka shkruar ministri Maqedonci në Facebook.
Kryeministri Kurti ka mbajtur një fjalim, me ç’rast shprehu mirënjohje e krenari për ushtarakët e FSK-së.
“Ushtrimi “Ujku i Çeliktë” nuk është thjeshtë një ushtrim i radhës, por një ushtrim që tregon shpirtin tuaj luftarak për të përballuar sfidat e nga sfidat ju gjithnjë keni dalë më të përgatitur e më të fortë, ashtu siç ka dalur edhe populli, shoqëria dhe kombi ynë” – tha ai.
Siç ka njoftuar FSK-ja, komandanti Bashkim Jashari ka pritur në këtë ushtrim edhe deputetë e përfaqësues të ambasadave, KFOR-it, atashe të mbrojtjes e përfaqësues ushtarakë nga vendet partnere.