Zjarrfikësit në fshatin Zasellë, Foto: KALLXO.com

FSK ka në gjendje gatishmërie zjarrfikës për të ndihmuar në shuarjen e zjarreve

Disa zjarre të cilat kanë filluar pasditen e sotme në lokacione të ndryshme të Kosovës ka bërë që departamenti për operacione të vë në gjendje gatishmërie disa togje të cilët do t`u vihen në ndihmë zjarrfikësve në rast se ka kërkesë të tillë.

Shefi i Departamentit për Operacione dhe Trajnime në Forcën e Sigurisë së Kosovës, Kolonel Ejup Maqedonci në një bisedë për KALLXO.com tha se janë vendosur tashmë disa togje në gjendje gatishmërie.

“Po ne kemi në gjendje gatishmërie disa togje të cilët janë duke përcjellur edhe ngjarjet që po ndodhin. FSK i ka të vendosura togjet për reagim dhe në bazë të kërkesave edhe do të veprohet”, tha Maqedonci për KALLXO.com.

Tutje ai tha se është duke u bërë vlerësimi i situatës edhe në lidhje me zjarrin i cili ka ndodhur në fshatin Zasellë të Komunës së Mitrovicës pas kërkesës që është bërë.

Drejtori i Emergjencave në Mitrovicë, Bahtir Maxhuni tha se kanë kërkuar përmes Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave që ekipe të FSK-së dhe KFOR-it të jenë në gjendje gatishmërie në rast se nuk arrijnë të lokalizojnë gjithë zjarrin që ka ndodhur në fshatin Zasellë.

Tutje KALLXO.com raportoi se në këtë fshat tashmë kanë dalë ekipet e zjarrfikësve lokal por që është kërkuar ndihmë edhe nga dy komuna Skenderaj dhe Vushtrri për të ndihmuar në mjete dhe pajisje për të shuar zjarrin.

Drejtori i emergjencave mohoi se janë duke evakuuar familje për shkak të rrezikshmërisë të zjarrit.

Zjarr në fshatin Zasellë të Mitrovicës, flet drejtori i emergjencave (FOTO)