FSK-ja shpëton 4 qytetarë që ishin ngujuar në Rugovë të Pejës

Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se Njësia e Kërkim-Shpëtimit e FSK-së ka shpëtuar 4 persona që kanë qenë të ngujuar në fshatin Drelaj të Rugovës së Pejës.

Sipas njoftimit, operacioni ka filluar mbrëmë rreth orës 23:00, ndërsa ka përfunduar me sukses në orët e hershme të mëngjesit të sotëm.

“Personat e shpëtuar ishin pjesëtarë të Shoqatës Alpiniste “Gjeravica”, njëri prej të cilëve ishte i lënduar e të cilit iu ofrua trajtimi fushor mjekësor dhe evakuimin profesional”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Operacioni i FSK-së është kryer në koordinim me njësitë e Policisë së Kosovës, Zjarrëfikësit lokal, ndërsa evakuimi i personave është bërë në bashkëpunim me Shoqatën e Kërkim-Shpëtimit malor ‘Peja’.

“Angazhimi vetmohues dhe profesionalizimi i lartë i pjestarëve të njësive të Kërkim- Shpëtimit të FSK-së, si edhe njësive tjera, dëshmohen në çdo kohë, në çdo vend dhe në çdo situatë në shërbim të qytetarëve tanë”, thuhet në fund të njoftimit.