FSK-ja pjesë e ushtrimit ndërkombëtar me 'skenarë lufte' në Gjermani - Pamje

Forca e Sigurisë së Kosovës ka njoftuar se një kontigjenti i Kompanisë së Deminimit të Gardës Kombëtare të FSK-së do të marrë pjesë në ushtrimin shumëkombësh “Combined Resolve 22” që do të mbahet në bazën ushtarake shumëkombëshe të përbashkët JMRC të ushtrisë amerikane në Hohenfels të Gjermanisë nga data 20 maj deri me 16 qershor.

“Ushtrimi ‘Combined Resolve 22’ mbahet çdo vit ku marrin pjesë vendet e NATO-s dhe vendet partnere, ushtrim është i dizajnuar të simuloj skenarë lufte të pandërprerë dhe zhvillohet me pjesëmarrjen e shumë aseteve të blinduara ashtu edhe asete të xhenios ushtarake, deminimit, zbulimit etj”, thuhet në komunikatë të lëshuar nga FSK.

Sipas FSK-së ky ushtrim zhvillohet për të ushtruar ndërveprueshmërinë e ushtrive të NATO-s me vendet partnere dhe të zhvilloj aftësi kritike ndërluftuese për të ndihmuar partnerët që të fitojnë në fushëbetejën moderne.

“Kontigjentin e ka inspektuar para nisjes zëvendës komandanti i Gardës Kombëtare (GK) Kolonel Shaip Haziri ku u ka uruar suksese pjesëtarëve të FSK-së duke u shprehur i kënaqur me përgatitjen e ushtarëve dhe mundësinë që edhe Kosova merr pjesë në këto ushtrime ndërkombëtare”, përfundon njoftimi.