FSK-ja në ushtrime bashkë me 12 shtete të tjera në Shqipëri

Një Kontigjent i Forcës së Sigurisë së Kosovës i janë bashkuar ushtrimit “Albanian Effort19”, i cili po realizohet në poligonin ushtarakë në Biza të Shqipërisë.

“Një Kontingjent i Forcës së Sigurisë të Kosovës, me personel nga Brigada e Reagimit të Shpejtë, me një Togë të këmbësorisë, duke përfshirë oficerë shtaborë për Kontrollin e Lartë (NONLART) dhe shtab në terren, Komanda e Doktrinës dhe Stërvitjes me vëzhgues kontrollues, i janë bashkuar ushtrimit ,,Albanin Effort19”, i cili po realizohet në poligonin ushtarakë në Biza të Republikës së Shqipërisë”, ka bërë të ditur Ministria e Mbrojtjes e Kosovës.

Sipas njoftimit, në këtë ushtrim po marrin pjesë 12 shtete: Shqipëria, SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Italia, Turqia, Kroacia, Polonia, Bullgaria, Mali i Zi, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

“FSK-ja, në këtë ushtrim shumëkombësh, ka për qëllim ngritjen e bashkëpunimit me njësitë partnere, ngritjen profesionale dhe testimin e aftësive të vendimmarrjes ushtarake në një mjedis shumëkombësh, për të testuar aftësitë e ndërhyrjes së përbashkët në kohë krizash”, thuhet tutje në njoftim.