FSK gjen 1,597 municione të pashpërthyera në Parkun e Lirisë në Ferizaj

Forca e Sigurisë së Kosovës ka njoftuar se ka gjetur 1,597 predha të mortajës dhe artilerisë në Parkun e Lirisë në Ferizaj.

Sipas Forcës së Sigurisë së Kosovës, këto mjete kanë mbetur aty që nga koha e Luftës së Dytë Botërore.

Sipas FSK-së, këto mjete nuk paraqesin rrezik për qytetarët dhe aktualisht janë të sigurta.

“Kompania e Deminimit të Gardës Kombëtare të FSK-së, është duke kryer operacionet e pastrimit të Fushëbetejave në Parkun e Lirisë në Ferizaj, ku ka hasur në një sasi të madhe të municioneve eksplozive të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm. Kompania e Deminimit do të vazhdoj me përkushtim të lartë deri në pastrimin e të gjitha fushave të kontaminuara me mina dhe municione eksplozive”, thuhet në njoftimin e FSK-së.