FSK fiton medalje të argjendtë në ushtrimin ndërkombëtar “Cambrian Patrol 2021”

Njësiti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) ka fituar medalje të argjendtë në ushtrimin e famshëm ndërkombëtar “Cambrian Patrol 2021” në Mbretërinë e Bashkuar.

Kështu ka bërë të ditur përmes një komunikate për media, Ministria e Mbrojtjes së Kosovës.

“Në konkurrencë me mbi njëqind ekipe të forcave të shteteve të ndryshme të botës, njësiti i FSK-së zuri vendin e dytë dhe fitoi medaljen e argjendtë në ushtrimin prestigjioz ndërkombëtar “Cambrian Patrol 2021” në Mbretërinë e Bashkuar”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Sipas njoftimit, ky ushtrim tejet sfidues organizohet për çdo vit ne Uells të Mbretërisë së Bashkuar ku marrin pjesë njësitet më të mira nga ushtria britanike nga shumë vende të tjera.

“Gara ndërkombëtare “Cambrian Patrol” njëherazi është ushtrim i fokusuar në mision dhe i bazuar në skenar. Edhe pse nuk është garë, performanca e njësisë vlerësohet gjatë gjithë kohës dhe më të mirët shpërblehen me medalje”, thuhet tutje në njoftimin e ministrisë.

Tutje në njoftim ministria ka dhënë detaje se çfarë ka përfshirë këtë vit ushtrimi “Cambrian Patrol”

“Ky ushtrim këtë herë ka përfshirë kalimin e distancës rreth 60 kilometra ku secili pjesëtar bartë 35 kilogram peshë dhe gjatë tërë kohës vlerësohen në shkathtësitë e luftimit të afërt, ndihmën e parë, identifikimin e armëve, automjeteve, minave, materieve të rrezikshme etj”, thuhet në tutje aty.

Ushtrimi “Cambrian Patrol” është ngjarja kryesore patrulluese e Ushtrisë Britanike e cila mbahet në Uells dhe organizohet nga Brigada e Shtabit 160 (Uells).

Qëllimi i “Cambrian Patrol” është të sigurojë një stërvitje patrulluese sfiduese në mënyrë që të rrisë aftësinë operacionale.

Forca e Sigurisë së Kosovës merr pjesë për herë të 4-të në këtë ushtrim.

Në ceremoninë e ndarjes së medaljeve ka qenë i pranishëm atasheu i mbrojtjes në Mbretërinë e Bashkuar, nënkolonel Beton Retkoceri dhe këshilltari i KOMFSK-së, nënkoloneli britanik, Martin Browning.