Foto: FSK.
FSK dhe Ushtria amerikane mbajnë ushtrimin e përbashkët për mjekësi fushore
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, dhe komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, vizituan ushtrimin e përbashkët të FSK-së dhe Ushtrisë amerikane.
Forca e Sigurisë bën të ditur se minstri Maqedonci dhe gjenerallejtënant Jashari përcollën nga afër realizimin e ushtrimit fushor mjekësor, që është duke u realizuar së bashku me personelin mjekësor të Gardës Kombëtare të Ajovas dhe ushtarakëve të Regjimentit të Mjekësisë së FSK-së, në kuadër të bashkëpunimit dhe partneritetit mes dy forcave.
“Ky ushtrim është duke u realizuar në kuadër të planit të trajnimeve me qëllim të ngritjes së kapaciteteve të mjekësisë fushore ROL1 dhe ROL2 , dhe ngritjes së bashkëpunimit me Gardën Kombëtare të Ajovas së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Regjimenti i Mjekësisë së Komandës së Logjistikës gjatë realizimit të ushtrimit që fokus ka punën praktike, testimin në fusha të ndryshme si: C3/C4, 9 Linjëshi, Triazhimi, Evakuimi mjekësor, Trajtimi i rasteve emergjente, Evakuimi ajror që në thelb kanë përgatitjen trajnimin dhe ekzekutimin e raste reale në fushëbetejë”- thuhet në njoftimin e FSK-së.
Sipas njoftimit, ministri dhe komandanti i FSK-së vlerësuan lartë bashkëpunimin dhe ndihmën që po jep Garda Kombëtare e Ajovas, në ngritjen e kapaciteteve mjekësore të Forcës së Sigurisë së Kosovës por edhe në fusha të tjera.