FSK demanton Policinë: Kërkimet për personin që dyshohet se ra nga Ura e Fshajt nuk janë ndërprerë

Ekipet e Kërkim Shpëtimit në ujëra të Gardës Kombëtare të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë njoftuar se edhe sot pavarësisht kushteve të vështira që janë krijuar nga reshjet e shiut, janë duke vazhduar operacionin e kërkimit për personin e humbur në afërsi të Urës së Fshajt.

Në njoftimin e tyre në “Facebook“, thuhet se operacioni i kërkimit nga Forca e Sigurisë së Kosovës nuk është ndërprerë as në situata të jashtëzakonshme dhe do të vazhdoj deri në përmbushjen e misionit.

KALLXO.com raportoi mbrëmë se kërkimet për gjetjen e 47-vjeçarit që dyshohet se ka rënë nga Ura e Fshajt janë ndërprerë përkohësisht.

Një gjë e tillë ishte konfirmuar nga zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Nysret Xhurka.

“Dje kemi pranuar info për ndërprerje të përkohshme, për shkak të kushteve atmosferike dhe ngritja e nivelit të ujit në lumin Drini. Nuk dihet ende se kur do të fillojnë”, ka thënë Xhurkaj.

KALLXO.com ka raportuar më 25 janar se një person dyshohet se është hedhur nga Ura e Fshajt.

Në veturën e parkuar afër, ai kishte lënë një letër.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Rajonit të Gjakovës, Nysret Xhurkaj.

Megjithëse kërkimet nisën atë ditë, ato u ndërprenë për shkak të reshjeve të borës dhe shiut.

Më 27 janar, kërkimet, u tha, se filluan prapë.