14 pjesëtarë të FSK-së të certifikuar si deminerë

FSK bëhet me 14 deminues të certifikuar

Kompania e Deminimit e FSK-së ka realizuar trajnimin bazik për 14 pjesëtarë të FSK-së, të cilët do t`i bashkohen ekipeve të deminimit në kryerjen e misionit për pastrimin, largimin dhe eliminimin e mjeteve të pashpërthyera në të gjithë territorin e Kosovës.

Sipas njoftimit nga Ministria e Mbrojtjes, trajnimi është realizuar që nga data 4 mars e deri më 12 prill të këtij viti, me fokus pastrimin e fushëbetejave dhe fushave të tjera të minuara.

Komandanti i Regjimentit të Mbrojtjes Civile, koloneli Shaip Haziri kërkoi nga demirerët që të kenë kujdes të shtuar gjatë punës së tyre, duke pasur parasysh rrezikun me të cilin ballafaqohen çdo ditë.

Ndërsa, këshilltari amerikan i NALT-it, nënkoloneli Todd Essing, përgëzoi kursantët për suksesin duke iu uruar punë të mbarë dhe shëndet në detyrat e tyre të reja.

“Këta pjesëtarë u bashkohen radhëve të ekipeve të Kompanisë së Deminimit në terren për të  vazhduar punën e palodhshme  në eliminimin e të gjitha rreziqeve nga mjetet shpërthyese.”, thuhet në njoftim.

Për 14 pjesëtarët e FSK-së u ndanë edhe certifikata për përfundimin e këtij kursi.