FSK bëhet gati për 'Defender 2023', ndahen 1.1 milion euro për blerje të pajisjeve për ushtarë
Në muajin që shkoi, Ministria e Mbrojtjes, nëpërmjet platformës elektronike për prokurim publik “e-prokurimi”, ka hapur tender për t`u furnizuar me veshmbathje dhe pajisje individuale për ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), për ushtrimin “Defender 2023”.
Për realizimin e këtij furnizimi, Ministria e Mbrojtjes ka parashikuar të nënshkruaj kontratë në vlerë deri 1,100,000 euro.
Procedura e hapur e prokurimit, është lloji i procedurës së përdorur në këtë tender, me kriter për dhënie të kontratës, çmimi më i ulët.
Ky aktivitet i prokurimit është ndarë në dy llote, për pjesën e parë e parë apo llotin e parë për veshmbathje në mes tjerash kërkohen çanta ushtarake, rripa taktikë për armë, thes për fjetje e batanije ushtarake, mbulesa kundër shiut dhe pajisje tjetër të parapara me këtë llot të tenderit.
Ndërsa me llotin dy të këtij tenderi parashihet të realizohet furnizimi me Izolir i gjelbër scapa, litar i gjelbër 30m (paracord), syze taktike (të tejdukshme), lidhëse të duarve plastike dhe pajisje tjera të sipas kërkesave te përcaktuara në dosje të tenderit
Këtë furnizim, dikasteri qeveritar i mbrojtjes në vend ka paraparë të sjellë në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë.
Ndryshe, më datë 8 tetor 2022, KALLXO.com raportoi se Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj ka folur në seminarin e 102-të RoseRoth, i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, duke konfirmuar se janë proces të planifikimit për të qenë vendi pritës i stërvitjes fushore ‘DEFENDER EUROPE 23’.
Ai po ashtu falënderoj aleatët që po kontribuojnë në forcimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ku plani 10 vjeçar i tranzicionit është në fazën e dytë, sipas ministrit Mehajt.
Një nga arritjet e shumta në vitin 2021, sipas tij, është bashkë-zbarkimi përkrah Ushtrisë Amerikane në misionin e parë historik paqeruajtës në Kuvajt.
Ministri i Mbrojtjes theksoi se janë në proces të planifikimit për të qenë vendi pritës i stërvitjes fushore ‘DEFENDER EUROPE 23’, ku Republika e Kosovës do të marrë pjesë me rreth 1,300 pjesëtarë të FSK-së, të angazhuar si në Kosovë ashtu edhe në disa vende.
Në muajin nëntor të vitit 2021, në KALLXO.com dhe RTV Dukagjini është transmetuar një seri e emisioneve të #KallxoForca i cili ka mbuluar “Europe Defender 21”. Për më shumë kliko këtu.