Fshirja e adresave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës, Viola von Cramon e quan të papranueshëm

Euro deputetja dhe raportuesja për Kosovën për Parlamentin Evropian Viola von Cramon ka reaguar lidhur me fshirjen e adresave të shumë shqiptarëve të luginës së Preshevës, gjë që u pamundësoi atyre votimin në zgjedhjet serbe të 3 prillit.

Cramon përmes rrjetit Twitter u shpreh se kjo gjë është e papranueshme dhe se do vazhdojë të përcjellë këtë situatë.

“Shkelje të të drejtave themelore janë raportuar në luginën e Preshevës, jemi seriozisht të shqetësuar për ankesat e shqiptarëve të cilëve iu është mohuar të votojnë që kur janë fshirë nga regjistri civil në vendbanimin e tyre, gjë që është e papranueshme dhe do të vazhdojë ta përcjellë më tej këtë” , është shprehur Cramon.

Cramon ka komentuar postimin e një qytetareje nga Lugina e Preshevës e cila kishte njoftuar për fshirjen e adresave dhe e kishte larguar nga lista e votuesve.

Cramon ka kërkuar që këto raste t’i adresojë tek misionet e mbikëqyrjes së procesit zgjedhor dhe Parlamenti Evropian.

“Ju lutemi sigurohuni që këto raste të mbulohen mjaftueshëm në raportin preliminar të misionit mbikëqyrës zgjedhor, por veçanërisht në Deklaratën e PE-së”, ka shkruar më tej raportuesja për Kosovën.

Von Cramon theksoi se edhe pse u demonstrua zhvillim pozitiv në numrin e lartë të votueseve, zgjedhjet në Serbi nuk ishin as të lira e as të drejta.

Shqiptarët e Serbisë kanë frikë se fuqia e votës do u minohet sistematikisht (kallxo.com)