Fshihet murali i artistes Fitore Berisha afër "Sllovenia Sporti"

Murali i realizuar nga artistja Fitore Berisha i cili për shumë vite ka qëndruar në pjesën e qytetit të quajtur “Sllovenia Sport” është fshirë nga objekti në të cilin ishte i punuar.

Në  një reagim në Facebook, Fitore Berisha ka thënë se murali është fshirë  me lejen e Ministrisë së Kulturës me arsyen se kësaj vepre të artit i ka skaduar afati.

“Fshihet murali se i ka skadu afati çfarë tmerri – Ministria e Kulturës e Sportit – japin leje . Spo më mbet asgjë e vlefshme në këtë qytet..” ka shënuar autorja e shumë muraleve në kryeqytet.

KALLXO.com gjatë ditës është munduar të marr përgjigje nga MKRS në lidhje me këtë veprim por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka marrur përgjigjje.

Berisha pas reagimit për largimin e muralit  ka publikuar një kolazh muralesh  të saj të realizuara në Kosovë, përfshirë edhe muralin e Astrit Deharit afër kinemasë ABC, duke ju drejtuar Ministrisë që t’i fshijë të gjitha muralet që ajo i ka punuar.

Tutje, në një postimin e radhës ajo ka thënë se është kthyer pas 14 viteve në Kosovë që të kontribuojë për një shoqëri demokratike e moderne, që t’i zbukurojë vendet publike me art publik dhe që të zgjojë ndjenjën e mirë tek qytetarët.

Berisha e indinjuar është shprehur nuk  ka mbetur motiv që të krijohet art në  Kosovë kur as vet Ministria e Kulturës e cila ka ofruar fonde e leje për krijimin e artit nuk të ofron mbrojtje.

Lebibe Topalli, organizatore e MuralFest tha për KALLXO.com se duhet formohet një komision profesional për vlerësimin e veprave urbane i cili bën vlerësimin, klasifikimin e veprave urbane në vend.

“ Kjo situatë paraqet  rrezik në sigurinë e veprave artistike, që fatkeqësisht mundi i artistëve po ndodh që po shkon dëm” tha Topalli.

Sipas saj muralet  duhet të qëndrojnë deri në pesë vite, por  varet nga vendi ku është murali, sepse shpeshherë reshjet apo dielli mund ta dëmtojnë muralin edhe para pesë viteve. Por ajo tha se ka raste kur edhe qëndrojnë mbi 10 vite pa u dëmtuar.

Topalli tha se problemi kryesor qe i  shqetëson edhe Mural Fest-in është mungesa e garancionit për ruajten e veprave artistike.

“Ka mundësi që murali bëhet në pronë private e që nuk ka aty garancion, sepse përgjigjjet vet pronari i shtëpisë apo objektit. Por, në rast se bëhet në vende publike leja legjitime merret nga institucionet përkatëse komunale, e që në këtë leje nuk ceket afati i qëndrimit të atij murali” tha Topalli.

I njëjti mural me dedikim sportiv para dy vitesh ishte mbuluar me reklamë të Coca-Colës.