Fshihen nga uebfaqja vendimet e dy viteve të fundit të kryetarit të Prizrenit

Në arkivin online të Komunës së Prizerenit nuk ekzistojnë më vendimet e kryetarit të Komunës, që janë marrë në vitin 2021/2022.

Ymer Berisha, udhëheqës i njëjësisë për komunikim me publikun, e ka konfirmuar për KALLXO.com se vendimet e kryetarit të Prizrenit të vitit 2021 dhe 2022 janë fshirë të gjitha nga sistemi.

“Kemi informacione që vendimet e kryetarit të Komunës janë fshirë nga ueb faqja dhe këto paraqesin vështirësi dhe probleme të vazhdueshme. Paraqesin probleme edhe në vlerësimet që i bëjnë institucionet e tjera për performancën e komunës, madje paraqesin probleme edhe kur qytetarët, OJQ-të, e gazetarët i qasen një vendimi të publikuar dhe tashmë ne nuk e kemi në posedim në ueb faqe” – tha Berisha.

Ai bëri me dije se nuk është hera e parë që ueb faqet e komunave të Kosovës kanë probleme pasi bien prej sistemit, nuk janë të qasshme, e nuk hapen dokumentet.

“Këtë problem e kemi paraqitur në MAPL, ka më shumë se tre muaj që përballemi me këto vështirësi në punën tonë të përditshme. Komuna edhe me shkrim iu është drejtuar qeverisë sepse ueb faqet menaxhohen nga niveli qendror dhe ende nuk kemi marr përgjigje” – tha ai.

Edhe Haziz Krasniqi koordinator për performacë dhe publikim në ueb faqe të Komunës së Prizrenit tha se qe disa muaj kanë vështirësi në funksionimin e ueb faqeve.

“Unë si person që e menaxhoj një pjesë të ueb faqes ose që bëjë publikime në ueb faqe, kam filluar m’i publiku vendimet e muajit tetor të fundit që më kanë mbetur, kur hi me këqyr vendimet e vitit 2021 dhe 2022 janë të fshira krejt” – tha ai.

Krasniqi tha se kanë probleme dhe vështirësi edhe në publikime dhe se kjo do të ndikojë edhe në performancë.

“Problemi është që kur të fillojmë me plotësuar sistemin e performancës në vitin 2023 ne nuk kemi qysh me dëshmu sepse vendime nuk po muj me publiku dhe as raporte e vendime të Kuvendit” – tha Krasniqi.

Sipas tij faqja është jo funksionale për publikim.

“Qytetarët mund të shohin dokumente por unë si zyrtar nuk muj me publiku asgjë. Problemi është te dokumentet që kanë afate ligjore, këto që nuk kanë afate ligjore i kalojmë më lehtë” – tha ai.

KALLXO.com ka dërguar pyete edhe në Ministrinë e Administrimit dhe Pushtetit Lokal lidhur me këtë problem të shfaqur në Komunën e Prizrenit dhe është në pritje të përgjigjeve se a mund të kthehen dokumentet që janë zhdukur nga ueb faqja.

Në uebfaqen e Komunës së Prizrenit gjenden vetëm vendimet e vitit 2020 e më herët, ndërsa në rubrikën e vendimeve për vitet 2021 dhe 2022, nuk figuron asnjë dokument dhe të paraqitet njoftimi automatik – “Nuk kemi gjetur dokumente”