Foto: Federata Shqiptare e Futbollit

FShF: Po punojmë me UEFA-n për sigurinë nëpër stadiume

Federata Shqiptare e Futbollit ka njoftuar se janë duke punuar në mënyrë intensive së bashku me UEFA-n për organizimin e finales së “Conference Lague” që pritet të mbahet me 25 maj të vitit 2022.

Ata kanë thënë se po ashtu janë duke u marrë masa sa i përket sigurisë në stadium.

Kjo është bërë e ditur nga Federata pas ndeshjes së ditës së marte, kundër Polonisë, ku u ndërpre loja për disa momente pas golit të shënuar nga polakët pasi tifozët gjuajtë me sende të forta.

“Federata Shqiptare e Futbollit ishte duke punuar prej muajsh me UEFA-n në lidhje me një aktivitet të rëndësishëm sa i përket sigurisë në stadiume, edhe në kuadër të finales së Conference League që do të organizojmë në 25 maj 2022. Pas ngjarjeve në ndeshjen me Poloninë ky aktivitet bëhet edhe më emergjent, në mënyrë që të gjithë aktorët dhe faktorët e përfshirë në të tilla çështje të bëjmë më të mirën për organizimin e një ndeshjeje’’, thuhet në komunikatën për media.

Federata po ashtu ka bërë të ditur se në disa raste nuk kanë munguar incidentet por që këto incidente janë nxitur edhe nga ana e tifozëve polakë që kanë qenë prezent në stadium.

“Ndeshja na shfaqi gjithashtu disa probleme të rënda, që duhet zgjidhur dhe adresuar sa më parë. Incidente që nuk na nderojnë aspak ne, Shqipërinë dhe tifozët e saj të mrekullueshëm. Ngjarjet e djeshme janë pasojë e një provokimi të vazhdueshëm, dhe një sjelljeje shumë agresive nga ana e tifozëve polakë që kanë goditur për gati 2 orë tifozët tanë në dy tribuna’’, thuhet në komunikatën për media të Federatës Shqiptare të Futbollit.

Federata ka falënderuar tifozët për përkrahjen e vazhdueshme por sipas tyre ka individë të caktuar të cilët e prishin në disa raste imazhin e kombëtares.

“Ne jemi të vetëdijshëm se incidentet e së martës në mbrëmje nuk na nderojnë. Duhet të nxjerrim të gjithë mësime për sa na përket si organizatorë. Kishim 22 mijë tifozë të shkëlqyer dhe vetëm dhjetëra individë na njollosin gjithçka të mirë që skuadra ka bërë deri më tani’’, përfundon FShF.