Fshati jeton me erën e kanalizimit

Banorë të fshatit Bellanicë të Malishevës po ankohen se për shkak të mospërfundimit të rrjetit të kanalizimit afër shtëpive po u mblidhen ujërat e zeza.

Festim Sertolli thotë për KALLXO.com se për problemin me të cilin po përballet familja e tij por edhe familje të tjera fqinje është ankuar disa herë në Komunën e Malishevës.

Ky banor thotë se në degën e lumit Mirusha, e cila kalon edhe afër shtëpisë së tij, po derdhen ujërat e zeza të rreth 200 familjeve të lagjeve Sertolli dhe Kafexholli.

Si rezultat i kësaj dega e lumit kundërmon në vazhdimësi, duke ua vështirësuar jetën aty.

Situata, sipas tij, rëndohet kur dega e lumit nuk ka ujë, gjë që ndodhë shpesh.

Komuna e Malishevës është në dijeni për këtë problem.

Megjithatë, nuk premtojnë rregullimin në një të ardhme të afërt në mungesë të buxhetit.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Komuna e Malishevës thotë se nuk mund ta zgjidhin problemin e këtyre banorëve pasi kanë problem për depërtimin e gypit të kanalizimit në anën tjetër të autostradës.

“Po ashtu, me buxhetin e miratuar për vitin 2019, Komuna nuk ka pasur buxhet për mirëmbajtjen e kanalizimeve dhe as zgjerim të kanalizimit në fshatin Bellanicë. Gjithashtu problem në vete është fakti që kompania për menaxhimin e ujërave, “Hidroregjioni jugor”, e cila është përgjegjëse për menaxhimin edhe të ujërave të zeza, në vendbanimet ku ka rrjete të ujësjellësit me të cilat ata menaxhojnë, nuk janë duke investuar në sisteme të kanalizimeve dhe e tëra barra po i bie Komunës”, thuhet në përgjigjen elektronike të Komunës së Malishevës.

 

Kujtojmë se KALLXO.com në muajin maj të këtij viti kishte raportuar për problemin e banorëve e një lagjeje të fshatit Lladrovc të Malishevës.

VIDEO: Kanalizimi që sjell probleme në Lladrovc