Fshati i olimpistëve me fushë të mjerueshme të atletikës

Në 2016, e gjithë Kosova, por edhe më gjerë dëgjoi për një fshat të vogël të qytetit kufitar të Kamenicës.

Rogana, një fshat jo i madh, kishte nxjerrë dy sportistë, Vijona Kryeziun dhe Musa Hajdarin, atletë të cilët kishin fituar normë olimpike dhe kishin përfaqësuar Kosovën në “Lojërat Olimpike” në Rio të Brazilit në vitin 2016.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Vijona Kryeziu

6 vite më vonë, klubi i atletikës “Rogana” po ballafaqohet me probleme të infrastrukturës bazë për ushtrimin e këtij sporti.

Gjendja e fushës atletike në Roganë, nuk i plotëson kushtet e duhura për një atletë që dëshiron të zhvillojë stërvitjet në mënyrë që të ketë sukses në gara.

Zijadin Kryeziu që udhëheqë me klubin e atletikës “Rogana” thotë se mungesa e fushës po u shkakton probleme të mëdha.

Rogana apo “Fshati i olimpistëve” nuk është vizituar asnjëherë nga Feerata e Ateltikës thotë Kryeziu në një intervistë për KALLXO.com.

“Federata nuk e ka pa të arsyeshme me dal asnjëherë për të parë gjendjen e fushës, nuk ka rëndësi se çfarë raporte kemi ne si klub me federatën, mendoj se është dashur të ketë interesim” ka thënë Kryeziu.

Me 26 dhe 27 qershor të vitit të kaluar, në Beograd është mbajtur Kampionati Ballkanik i Atletikës, por atletët nga Klubi “Rogana” nuk kishin marrë pjesë në këto gara. E Kryeziu, një pjesë të fajit për këtë ia ka lënë edhe Federatës.

“Nuk është hera e parë që ka ndodhur neglizhenca të qëllimshme, nuk kemi marr pjesë për arsye nuk është bërë paraqitja preliminare me kohë, kjo nuk ka ndodhur për shkak të harresës, ky gabim nuk ka ndodhur në garat e tjera ku kemi marrë pjesë, federata këtë e ka kaluar si në heshtje” thotë Kryeziu.

Klubi i Atletikës “Rogana” nga Kamenica është themeluar si klub në fund të vitit 2005. Që nga themelimi klubi ka korrur suksese të shumta në atletikë, që në gjuhën sportive njihet si “Mbretëresha e sporteve”