Fshati Uçë, Istog. Foto: Kallxo.com
Fshati i Istogut shuan etjen në verë me bidonë
Për vjet të tëra, gjatë muajve të verës, Hamit Ferataj gjatë verës e përdor minibusin e tij për nevoja tjera nga ajo për çka fabrika e ka prodhuar atë.
Kur vapa e mbizotëron fshatin Uçë të Istogut, për Feratajn vijnë ditët kur ai minibusin duhet ta shndërrojë në mjet transporti për bidonat e ujit.
Ai shpesh bën disa kilometra rrugë deri në Istog për t’i mbushur ato me ujë të pijshëm, meqë fshati i tij përballet me mungesë të tij.
“Mungesën e ujit të pijshëm e kemi që 5 vite e më shumë, kur ka mungesë të ujit me duhet të shkoj me minibusin tim në Istog që të mbush burën e 1000 litrave që më pas të kemi ujë. Këtë viti një ditë kemi, një ditë jo por vitet e tjera kanë qenë shumë të vështira sepse nuk ka pasur ujë hiq”, tregoi Ferataj.
Si Hamiti, edhe shumë familje të tjera të Uçës përballen me problemin e mungesës së ujit të pijshëm nëpër çezmat e tyre, sidomos gjatë muajve të verës, atëherë kur nevoja për të është më e madhe.
Mungesa e ujit të pijshëm tani gjatë pandemisë ka sjellë vështirësi edhe për Tahire Ferataj e cila tregon se në pleqëri të saj duhet të mbushë bidonat me ujë dhe të sigurojë ujë nga pusi i cili mbushet vetëm kur bie shi, që pastaj të sigurohet që gjithçka të jetë e pastër dhe të mos rrezikohet nga ky virus.
“Çdo vit po premtojnë që kanë me e rregullu, jam plakë nuk po kam as shume forcë edhe pa ujë po është edhe më e vështirë pleqnia, vjet kam pak që me la edhe me bunar. Si të ka ujë i marr bidonat, kofet i mbushi që kur të ndalet me pas çka me pi e me çka me u pastru”, tha Tahire Ferataj.
Naim Behlulaj përfaqësues i Fshati Uçë tregon që këtë problem e kanë adresuar disa herë edhe në Komunën e Istogut.
“Jam ankuar në emër të fshatit sepse fshatarët e kësaj ane kanë probleme me ujë të pijes mirëpo pas gjitha këtyre ankesave ka filluar një projekt për ujë të pijes nga burimi i Istogut për fshatrat e mbi vadës diku afro 5 miliard euro ku është projekti më i madh deri më tani në regjion”, tregon Behlulaj.
Shefi i Kabinetit të Kryetarit të Komunës, Valmir Loxha ka treguar se pothuajse të gjitha fshatrat e Komunës së Istogut kanë sistem të ujësjellësit, por arsyeja e mos zgjidhjes së këtij problemi ka qenë pa mundësia buxhetore e realizimit të një projekti të tillë nga buxheti i komunës së Istogut.
“Mungesa e ujit të pijshëm në Fshatin Uçë është vetëm në stinën e verës, për shkak se furnizimi i disa fshatrave bëhet nga rezervuarët të cilët burimet ujore i kanë nga bjeshka dhe akumulohen e mandej futen në gypat e rrjetit primar (furnizues), ku me pastaj bëhet furnizimi i lidhjeve sekondare, dhe shpeshherë gjatë stinorit veror për shkak të thatësirave të gjata këto burime ujore shterrin. Si pasojë e kësaj ka mungesë të furnizimit të qëndrueshëm me ujë të pijes për këtë fshat i cili është pjesë e Zonës Lindore ose ndryshe siç e quajmë në “Mbivada”, por vlen të ceket se edhe keqpërdorimi është një nga arsyet kryesore e mungesës së ujit”, tha Loxha.
Komuna e Istogut ka nënshkruar një marrëveshje me Qeverinë e Republikës së Austrisë në të cilën përfshihet projekti në vlerë mbi 5 milionë euro i cili parasheh zgjidhjen e problemit me ujë të pijshëm.
“Projekti përfshin pjesën lindore të komunës së Istogut e cila është e njohur edhe si ‘Mbivada’, e cilësuar si pjesa më e thatë e komunës së Istogut ku janë të përfshira 12 fshatra. Ky projekt është ndër projektet më të rëndësishme që komuna e Istogut ka filluar ta realizojë”, tregoi Loxha.