Fshati Gjonaj i Prizrenit nga sot do të ketë 24 orë ujë të pijshëm

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka,  ka bërë të ditur se fshati Gjonaj i Prizrent tani do të furnizohet 24 orë me ujë të pijshëm.

“Banorët e fshatit Gjonaj me vite të tëra janë ballafaquar me problemin e furnizimit me ujë të pijshëm, ndërkaq këtë problem të kamotshëm, ua pata premtuar se do ta zgjidhim gjatë qeverisjes sonë”, ka shkruar Haskuka në Facebook.

Ai tutje ka bërë të ditur se sot është bërë përurimi i ujësjellësit të ri në Gjonaj.

“Sot, pas 1 vjet e gjysmë pune të palodhur, kemi arritur që ta mbajmë këtë premtim, me ç’rast së bashku me banorët e këtij fshati dhe drejtorin e Shërbimeve Publike, Osman Krasniqi kemi bërë përurimin e ujësjellësit të ri në Gjonaj”, ka shkruar Haskuka.

Në postimin e tij, Haskuka ka thënë se në këtë fshat janë ndërruar tërësisht të gjithë gypat e ujësjellësit dhe është bërë vendosja e orëve matëse në 800 puseta.

“Pos kësaj aktualisht jemi duke vazhduar punimet e rregullimit të rrugëve të ndryshme në këtë fshat, të cilët më pas do shtrohen edhe me asfalt”, ka shkruar Haskuka.