Stadiumi i qytetit të Lipjanit, Foto: Komuna e Lipjanit/ Facebook
Fshati Gadime e Ulët i Lipjanit pritet të bëhet me stadium
Fshati Gadime e Ulët e Komunës së Lipjanit, pritet të bëhet me stadium, pasi për këtë projekt të ri kapital janë aprovuar 100 mijë euro me draft-buxhetin për vitin 2021.
Këtë stadium, pritet ta ndërtojë Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve në përkrahjen e sportit në vend.
Në bazë të Projektbuxhetit për vitin 2021 i cili është ende draft, Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit (MKRS) shpenzimet për investimet kapitale deri në fund të këtij viti do të jenë mbi 39.3 milionë euro ndërsa nga 2020-ta do të vazhdohen projektet në vlerën e mbi 17.4 milionë euro ndërsa projekte të reja kapitale për vitin 2021 do ta kenë vlerën e 575 mijë eurove .
Me datën 30 të muajit të kaluar, Qeveria e Kosovës, në krye kryeministrin Avdullah Hoti ka miratuar Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin 2021.
Në mbledhjen e Qeverisë, shefja e kuletës së shtetit, Hykmete Bajrami kishte deklaruar se shpenzimet buxhetore do të jenë rreth 2.4 miliardë euro.
“Ekonomia për vitin 2021 pritet të rritet me 5.1%. Gjatë 2021 pritet një dinamikë më e shpejtë e investimeve publike. Gjatë vitit duhet të rifanciojme 162 milionë për borxhin aktual. Shpenzimet buxhetore janë planifikuar të jenë rreth 2 milardë e 400 mijë euro. Shpenzimet për paga pritet te jenë 625 milionë euro”, citohet të ketë thënë ministrja Bajrami.