Frikat dhe gëzimet e Vjosa Osmanit me qeverinë e re

Ndjenja e përgjegjësisë karshi qytetarëve është frika më e madhe që Vjosa Osmani thotë se e ka momentalisht.

Kryeparlamentarja e parë në Kosovë ka përmbledhur rrugën e saj drejt marrjes së këtij posti në emisionin “Jeta në Kosovë”.

Ajo tha se e sheh si padrejtësi faktin që për një kohë të gjatë nuk ka pasur pozita udhëheqëse në Kuvend apo Qeveri edhe pse ishte gruaja më e votuar në Kosovë.

“Unë e kam përjetuar si padrejtësi për një kohë të gjatë mirëpo këmbëngulësia të qon deri aty që padrejtësia shndërrohet në vlerësim të drejtë. Në të kaluarën ka pasur periudha që e kemi pa se kualiteti dhe puna që e kanë ofruar gratë nuk është vlerësuar sa duhet në institucione. Janë konsideruar si numra”, tha ajo

Osmani ka thënë se e ka gëzuar fakti që është realizuar vullneti i qytetarëve me koalicionin e ri qeverisës.

Ajo po ashtu u shpreh e lumtur që do të udhëheqë Kuvendin së bashku me Arbërie Nagavcin si Nënkryetare.

Por sfidë për të mbetet fakte që pritjet për këtë qeveri janë jashtëzakonisht të mëdha.

“Pritjet e qytetarëve janë jashtëzakonisht të mëdha, është ndjenja e përgjegjësisë se mos nuk po arrijmë t’i përmbushim të gjitha ato që I kemi premtuar sepse sfidat janë të jashtëzakonshme”, tha Osmani.

Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti ka arritur që të ketë 30 për qind gra në udhëheqje. Ndërsa në total kjo legjislaturë shënon numrin më të madh të grave në udhëheqje.

Shtatë gratë në udhëheqje të legjislaturës së shtatë ishin pjesë e diskutimit në emisionin e sotëm.

Më poshtë mund ta ndiqni emisionin e plotë: