Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Frika nga një Republika Srpska, Lajçak: Mos u frikësoni nga diçka që do e bashkëhartoni!

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka folur lidhur me deklarimet se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë do krijojë një model të Republika Srpskas në Bosnje dhe Hercegovinë.

Ai në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova tha se befasohet që njerëzit frikësohen nga diçka që do jenë bashkëhartues dhe nënshkrues.

“Sa i përket një republike të re serbe, befasohem që njerëzit frikësohen nga diçka që nuk ekziston. Kosova ka rol të barabartë me Serbinë në dialog, që do të thotë se çdo gjë bashkëhartohet edhe nga Kosova”- tha ai.

Lajçak potencoi se ka shumë modele evropiane funksionale për mbrojtje të pakicave që nuk kanë shkaktuar jofunksionalitet.

“Ka po ashtu modele ekzistuese evropiane funksionale për mbrojtje të pakicave, asnjë prej tyre nuk ka shkaktuar jofunksionalitet në shtetin ku janë. Mos u frikësoni nga diçka që ju do e hartoni”- shtoi ai.

Lajçak tha se me këtë plan janë ende në hapin e parë të procesit të normalizimit.

“Me këtë propozim Kosova nuk humbet asgjë dhe fiton shumë, jemi ende në  hapin e parë dhe nuk mund të kërkoni garancione për hapat e tjerë. Teknikisht do kemi një trup të veçantë që do mbikëqyrë këto marrëveshje, pra një mekanizëm për këtë”- shtoi ai.

Ai bëri të ditur se janë duke diskutuar edhe kthimin e serbëve të Kosovës në institucione.

“Jemi duke diskutuar edhe çështjen e kthimit të serbëve të Kosovës në institucione, pasi vakuumi nuk është gjë e mirë. Qeveria e Kosovës të krijojë kushte për kthim të tyre në institucione dhe Beogradi t’i inkurajojë po ashtu. Kemi harxhuar shumë kohë dhe energji sa i përket tabelave të makinave, gjë që adresohen po ashtu me këtë propozim”- shtoi ai.

I dërguari i BE-së theksoi se presin që deri në mars të shohin nëse ka avancim në këtë marrëveshje me këto parime dhe nëse nuk ndodh kjo, kush është përgjegjës për mosavancim.

Çka është Republika Srpska?