Fridon Lala

Fridon Lala: Ligji për punësim të komuniteteve nuk respektohet, vendet mbushen nga grupi më i fortë politikisht

Fridon Lala, deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e partisë IRDK, ka thënë se ka pasur mungesë të vullnetit politik për respektim të Ligjit për të drejtat e komuniteteve.

Ai në emisionin ‘Kallxo Përnime’ potencoi se komunitetet rom, ashkali, egjiptian janë dyfish të diskrimininuar pasi kuota për punësim të komuniteteve në sektorin publik mbushet nga ata që janë politikisht më të fortë.

“Punësimi i komuniteteve rom, ashkali dhe egjipitan në sektorin publik ka qenë një problematikë e kahmotshme. Kjo temë është ngritur vazhdimisht, mirëpo ka pasur mungesë të vullnetit politik në implementimin e Ligjit aktual për shërbyes civil që thotë se në institucione publike së paku 10 për qind e të punësuarve duhet të jenë pjestëtarë nga radhët e komuniteteve joshumicë”, ka thënë Lala.

Ai po ashtu theksoi se brenda këtij ligji nuk qartësohet ndarja proporcionale mes komuniteteve.

“Edhe brenda Ligjit nuk qartësohet ndarja proporcionale mes komuniteteve dhe zakonisht komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian kanë mbetur dyfish të diskriminuar për shkak se në institucione të caktuara kjo kuotë është mbushur më komunitete më të fuqishme politike, sikur është rasti me komunitetin serb”, shtoi ai.

Ai bëri të ditur se nga 14 mijë shërbyes civilë në sektorin publik, vetëm 55 janë pjesëtarë të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.

“Nga të dhënat që kam marrë prej MAPL, është se mbi 14 mijë shërbyes civilë në nivel vendi, vetëm 55 figurojnë të jenë nga radhët e komuniteteve rom, ashkali, egjiptian. Kjo tregon se sa pak është punuar në implementim të këtij Ligji’, ka thënë Lala.