Foto: Ilustrim

Freedom House: Korrupsioni dhe kapja e shtetit janë të përhapura, kuadri institucional për t'i luftuar është i dobët

Kosova është vlerësuar dobët në iniciativat e saj për të luftuar korrupsionin dhe kapjen e shtetit.

Në raportin e organizatës amerikane “Freedom House” për vitin 2021, në pyetjen se a janë  të forta dhe efektive masat mbrojtëse kundër korrupsionit zyrtar, Kosova ka marrë vetëm një pikë nga katër prej tyre.

“Korrupsioni dhe kapja e shtetit janë të përhapura dhe kuadri institucional për t’i luftuar ato është i dobët. Mandatet e katër organeve kryesore të Kosovës kundër korrupsionit mbivendosen dhe ato kanë vështirësi në koordinimin e përpjekjeve të tyre”, thuhet në raport.

Poashtu në raport theksohet se autoritetet kanë treguar pak përkushtim për ndjekjen penale të korrupsionit të nivelit të lartë dhe kur zyrtarët e lartë ndiqen penalisht, ‘dënimet janë të rralla’.

Në këtë raport, “Freedom House” ka përmendur edhe nisëm e qeverisë së Kosovës për ligjin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

“Gjatë gjithë vitit 2021, qeveria e sapozgjedhur Kurti ndoqi disa reforma që synonin të luftonin korrupsionin dhe krimin e organizuar; administrata u angazhua për krijimin e mekanizmave të rinj të verifikimit gjyqësor dhe propozoi hartimin e legjislacionit që do t’i mundësonte qeverisë të konfiskonte “pasuritë e fituara në mënyrë të pajustifikueshme”, thuhet në raport.

Kosova radhitet sërish në grupin e regjimeve hibride/demokraci tranzicionale.

Në një shkallë vlerësimi nga 1 deri në 7 pikë, ku 1 është shkalla më e ulët e demokracisë, sipas raportit të sivjetëm Kosova shënoi një përparim nga 3,14 pikë sa kishte në raportin paraprak, në 3.25.

Rritja është shënuar në kategorinë e qeverisjes demokratike në vend, që ishte 2.50 pikë në raportin e vitit të kaluar, ndërsa këtë vit është 3.00.

Vlerësimet për pavarësinë e gjyqësorit janë rritur po ashtu në 2.75, ndryshe nga 2.50, sa ishte në raportin e kaluar, ndërsa të gjitha vlerësimet tjera mbeten të pandryshuara nga një vit me parë.

Freedom House vlerëson aksesin e njerëzve në të drejtat politike dhe liritë civile në 210 vende dhe territore përmes raportit të saj vjetor Liria në Botë. Liritë individuale duke filluar nga e drejta e votës deri te liria e shprehjes dhe barazia para ligjit.

Freedom House: Kosova – shënon përparim në shkallën e demokracisë