Frashër Krasniqi - Foto: Atdhe Mulla

Frashër Krasniqi reagon për heshtjen e Albin Kurtit pas ftesave të Speciales

Ish-deputeti i Partisë Socialdemokrate (PSD), Frashër Krasniqi, e ka akuzuar kandidatin kryeministër, Albin Kurtin, se për pushtet nuk po reagon ndaj ftesave për intervistim të Gjykatës Speciale ndaj ish-komandantëve të UÇK-së.

Krasniqi përmes një publikimi në Facebook, ka shkruar se lideri i VV-së Kurti kishte premtuar se në qeverisjen e tyre do të ofronin mbrojtje ndaj Gjykatës Speciale.

“’Kur Vetëvendosje vjen në pushtet, ne do t’ju mbrojmë nga Gjykata Speciale’. Kështu i drejtohej Albin Kurti dikur Hashim Thaçit. Kurse sot kur Gjykata Speciale po i fton një nga një ish-komandantët e UÇK-së, as deklaratë mbrojtëse nuk po lëshon. Se lëre më të bëjë diçka siç kishte premtuar”, është shprehur Krasniqi.

Sipas Krasniqit, Kurti nuk po i mbron as anëtarët e partisë së tij, siç është rasti i Gani Krasniqit e Rexhep Selimit të VV-së, pasi ky i fundit, një ditë më parë ka bërë të ditur se është ftuar nga Dhomat e Specializuara për t’u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit.

“Dhe nuk po flasim këtu vetëm për komandantët e partive tjera. Ai nuk po i mbron as Rexhep Selimin e Gani Krasniqin që i ka në partinë e vet. Dikur i thoshte Thaçit që për pak pushtet po e djeg luftën e UÇK-së dhe gjithë shokët e tij. Sot Kurti vet, për pak pushtet, po e len specialen që t’ia marrë shokët dhe të vazhdojë njollosjen e UÇK-së. Pa asnjë zë, pa asnjë reagim”, thuhet në publikimin e Frashër Krasniqit në Facebook.

Albin Kurti pritet të jetë kryeministër i ardhshëm i Kosovës, pasi partia e tij doli fituese e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të 6 tetorit.

Shkuarja e vendit në zgjedhje ndodhi pasi Ramush Haradinaj dha dorëheqja nga pozita e kryeministrit, pas ftesës për intervistim që mori nga Gjykata Speciale në Hagë.

E themeluar nga Kuvendi i Kosovës më 3 gusht 2015, Gjykata Speciale, ka shpeshtuar ditëve të fundit ftesat për ish-luftëtarë të UÇK-së.

Në mesin e të ftuarve nga Gjykata që ka selinë në Hagë është edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Azem Syla, si dhe disa prej anëtarëve të këtij shtabi: Kadri Veseli, Sokol Bashota, Jakup Krasniqi, Lahi Ibrahimaj, Bislim Zyrapi.

Nasim Haradinaj: Shumë shpejt do të ketë arrestime nga Gjykata Speciale