Deputetët Frashër Krasniqi (VV) e Milaim Zeka (NISMA) gjatë debatit, para incidentit. Foto: Klan Kosova/Screenshot

Frashër Krasniqi e Milaim Zeka nisen për ndërmjetësim

Dy ish-deputetët e Kuvendit të Kosovës që para dy vitesh ishin rrahur gjatë një transmetimi të drejtpërdrejt në televizion, u nisën së bashku që ta zgjidhin këtë çështje përmes ndërmjetësimit.

 

Milaim Zeka, ish-deputet i Nismas Socialdemokrate dhe Frashër Krasniqi, ish-deputet i Partisë Socialdemokrate u paraqitën sot para gjykatës, njëri i akuzuar për kanosje e tjetri për lëndim të lehtë trupor.

Gjykata, në pajtim me të dy të akuzuarit, vendosi që çështja të shkojë në ndërmjetësim.

Ish-deputetët që shpesh ishin atakuar me fjalor të ashpër, u nisën së bashku drejt zyrës së ndërjmetësimit.

Madje, në hyrje të objektit, Frashër Krasniqi i dha përparësi Milaim Zekës.

Sot në gjykatë, Frashër Krasniqi e pranoi fajësinë për akuzën e prokurorisë për lëndim të lehtë trupor.

“Po e ndiej veten fajtor dhe ndjej keqardhje”, tha Krasniqi.

Në anën tjetër, Milaim Zeka nuk e pranoi akuzën për kanosje.

“Mas pari nuk e kam kuptuar akuzën për arsye se thuhet në një nen që gjoja unë i kam thënë Frashërit  do të merremi vesh mas emisionit. Kjo është pika e aktakuzës, e gjatë përvojës time 18 vjeçare që kam qenë përkthyes ligjor në Suedi, nuk kam pa ndonjëherë në historinë e drejtësisë me u ngrit aktakuzë ndaj një njeriu në mënyrë hipotetike”, deklaroi ai.

Ai megjithatë pranoi që çështja të shkojë në ndërmjetësim

“Unë përveti nuk e ndiej veten fajtor dhe e pranoj propozimin e gjykatës që të shkojmë në ndërmjetësim”, tha Zeka.

Aktakuza ndaj dy deputetëve përshkruan se  më 29 shtator 2017 përleshja fizike ndaj dy të akuzuarve kishte ndodhur gjatë emisionit “Info Magazine”, gjatë transmetimit të drejpërdrejt në Klan Kosova.

Pas fyerjeve e sharjeve në mes të Krasniqit e Zekës, situata kishte eskaluar në përleshje fizike mes tyre. Prokuroria e Prishtinës e akuzonte Frashër Krasniqin për lëndim të lehtë trupor ndërsa Milaim Zekën për kanosje.

(VIDEO) Gjykata vendos në lidhje me rrahjen mes Milaim Zekës dhe Frashër Krasniqit