Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Frashër Demaj: Nuk është për konsum zgjedhor dërgimi i librave në Luginë

Kandidati për deputet i LDK-së, Frashër Demaj, në debatin “Kallxo Pernime”, ka thënë se nuk është fushatë për konsum zgjedhor ideja e dërgimit të librave në Luginën e Preshevës.

“Unë ju garantoj që LDK në kuadër të programit të saj për zhvillimin e arsimit dhe shkencës si gjithmonë ka paraparë jo vetëm nxënësit e Luginës së Preshevës, por edhe vendet e tjera ku ka shqiptarë”, tha Demaj.

Sipas tij, dërgimi i teksteve shkollore është detyrim i Kosovës.

“Ideja është që të ju dërgojmë aq sa kemi mundësi dhe kapacitete, tekste shkollore dhe mjete të tjera shkollore, përfshirë këtu edhe ndihma për infrastrukturë shkollore sepse e kemi detyrim edhe Kosova edhe Shqipëria që të tregojmë qasje pozitive”, shtoi ai.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti më 11 janar pas një takimi me përfaqësuesit politikë të Luginës së Preshevës,  ka treguar se planifikohet edhe furnizimi me libra për nxënësit në Luginë.

“Deri në fund të gushtit do të finalizojmë një listë të investimeve kapitale. Jam i bindur që në shtator do të finalizohet furnizimi i librave për nxënësit”, kishte deklaruar Hoti.

Hoti flet për aplikim të reciprocitetit me Serbinë për çështjen e librave për Luginën e Preshevës

.