Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Frashër Demaj: Do të ndihmojmë në ndërtimin e institucioneve parafillore dhe do të adoptojmë hapësirat ekzistuese

Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Frashër Demaj ka thënë se do t’i ndihmojnë pushtetit lokal në ndërtimin e institutucioneve parashkollore dhe do të adoptojnë hapësira në shkolla fillore dhe të mesme të ulëta.

“LDK ka krijuar një regjistër të shkollave që janë të pashfrytëzueshme dhe e para që do bëjmë është funksionalizmi në shkollat fillore dhe të mesme të ulëta që ka vend të mjaftueshme të i adoptojmë për kushtet dhe nevojat që i ka edukimi parafillor. Pas kësaj faze do vazhdojmë  me ndërtimin e tyre ku në këtë kuadër hyn mbështetja që LDK do të jap për komunat në ndërtimin e institucioneve të reja sepse buxheti i tyre është i pamjaftueshëm”, tha Demaj në DebatPernime.

Demaj tha se do të riaftësojnë mësimdhënësit që merret me mësimin parafillor dhe se do të shfrytëzojnë për mësim edhe studentët e diplomuar.

“Ka një numër të studentëve të cilët kanë diplomuar në universitete publike dhe kolegje private në programin e trajtimit të fëmijëve parafillor. Të gjitha këto kapacitet do t’i shfrytëzojmë pastaj në bazë të nevojave do të organizojmë trajnime të jenë të gatshme të mësim”, tha Demaj.

Ai tha se LDK ka paraparë që në institucione parashkollore të jenë fëmijët 4 dhe 5 vjet.

Pjesë e debatit të sotëm janë: Frashër Demaj nga LDK, Blerim Gashani nga LVV Lista e Vjosës, Artan Berisha nga Partia Liberale Egjiptiane PLE dhe Qerim Bajrami nga Vakat.

Debati transmetohet në orën 20:20 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.

Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra do të mbahet gjatë dhjetë ditëve të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen të dielën, me 14 shkurt.

Përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit.