Francë: Reforma mbi pensionet shkakton anulime masive të trenave dhe fluturimeve

Shumica e trenave, bashkë edhe me fluturimet si dhe metronë e Parisit do t’i anulojnë operimet e tyre në Francë të enjten, si pjesë e një greve mbarëkombëtare kundër planit të qeverisë për t’a shtyrë moshën e pensionimit që është planifikuar të bëhet nga ana e qeverisë.

Sondazhet e opinionit tregojnë se një shumicë dërrmuese e francezëve e kundërshtojnë reformën e planifikuar, e cila do ta shtynte moshën e pensionit nga 62 në 64 vjeç dhe dita e enjte (nesër) do të jetë një test nëse kjo mund të shndërrohet në një problem për qeverinë franceze.

Sindikatat i kanë bërë thirrje punëtorëve që të largohen masivisht nga puna më 19 janar dhe të dalin në rrugë në të gjithë Francën. Qeveria ndërkohë u ka bërë thirrje punëtorëve që të mos e paralizojnë vendin.

Vetëm një në tre deri në një në pesë linja TGV me shpejtësi të lartë do të funksionojnë dhe vetëm një në dhjetë trena lokalë TER, thotë operatori i trenave SNCF.

Trafiku ndërkombëtar në linjat Eurostar dhe Thalys pritet të jetë pothuajse normal, ndërsa lidhja e Lyria me Zvicrën do të ndërpritet rëndë dhe lidhjet e tjera ndërkombëtare të trenave do të anulohen plotësisht.

Në Paris, shumica dërrmuese e trenave të udhëtarëve RER do të anulohen, ndërsa tri linja të metrosë do të mbyllen plotësisht dhe shumë të tjera do të ndërpriten, tha operatori i metrosë RATP.

Ndërkohë, një në pesë fluturime për dhe nga aeroporti Orly i Parisit do të anulohet.

Aeroporti në jug të Parisit, i dyti më i madhi i qytetit, në këtë fazë është i vetmi në vend ku grevat mund të çojnë në ndërprerje, ka thënë një zëdhënës i rregullatorit të aviacionit DGAC.

Shtatë nga 10 mësues do të jenë në grevë në shkollat fillore, thotë komunikata e sindikatës kryesore SNUipp-FSU, ndërkohë që sektorë të tjerë, nga rafineritë deri te bankat, janë gjithashtu të vendosur të futen në grevë.

Franca ka një histori prej dekadash të përpjekjeve për të reformuar sistemin e saj të pensioneve – një nga më bujarët dhe më të kushtueshëm në Evropë – dhe protestash për t’i ndaluar ato.

Kjo funksionoi në vitin 1995, kur miliona njerëz u shfaqën në rrugë në ato që ishin protestat sociale më shkatërruese të Francës që nga maji i vitit 1968. Mirëpo, disa reforma të tjera pensionesh kanë kaluar që atëherë pavarësisht protestave.

Sipas planeve të qeverisë, mosha ligjore e pensionit do të rritet gradualisht në 64 nga 62 vjeç, ndërkohë që numri i viteve të kontributeve të nevojshme për pension të plotë do të rritet më shpejt se sa ishte planifikuar më parë dhe do të vendoset në 43 vjet nga viti 2027. 

Kjo reformë nuk është miratuar ende në parlament, ku presidenti Emmanuel Macron nuk ka një shumicë absolute, por shpreson t’i marrë votat e konservatorëve Les Republicains./France24

Përgatiti: Nuhi Shala