Foto: FB i Michel Barnier

Francë, protesta kundër emërimit të kryeministrit të ri

Mijëra francezë protestuan të shtunën (07.09.2024) kundër vendimit të presidentit Emanuel Macron për të emëruar si kryeministër të ri politikanin e qendrës së djathtë, Michel Barnier.

Partitë e së majtës e kanë akuzuar presidentin francez për vjedhje të zgjedhjeve parlamentare.

Presidenti Macron emëroi të enjten (05.09.2024) Michel Barnier, një konservator dhe ish-negociator i BE-së për Brexit-in, si kryeministër të ri të Francës, pas dy muajsh kaosi politik që pasuan zgjedhjet e parakohshme që zgjodhën një parlament të ndarë në tre blloqe.

Në intervistën e tij të parë si kryeminsitër, të premten në mbrëmje, Barnier tha se qeveria e tij, e cila nuk ka një shumicë të qartë, do të përfshijë konservatorë, anëtarë të kampit të presidentit Macron dhe se shpresonte edhe për disa përfaqësues nga e majta.

Blloku i majtë, i drejtuar nga partia e së majtës së skajshme Franca e Papërkulur (LFI) e ka akuzuar presdidentin Macron se vodhi zgjedhjet pasi refuzoi të emëronte si kryeminstër një kandidat nga Fronti i Ri Popullor, kaolicion që u rendit i pari në zgjedhjet e korrikut.

Sipas një anketimi të kompanisë Elabe, të publikuar të premten (06.09.2024), 74 për qind e francezëve mendonin se presidenti Macron nuk e kishte përfilluar rezultatin e zgjedhjeve dhe 55 për qind besonin se ai i kishte vjedhur ato.

Duke reaguar për të emëruarin e tij si kryeministër, udhëheqësit e partve të majta dhe sindikatat bënë thirrje për protesta masive të shtunën (07.09.2024), përpara një aksioni të ri, që mund të përfshijë mbajtjen e një greve më 01.10.2024.

Partia Franca e Papërkulur tha se në gjithë vendin do të mbaheshin rreth 130 protesta.

Të shtunën (07.09.2024), Barnier vazhdoi konsultimet me përpjekjeve për krijimin e një qeverie të re. /VOA