Francë: Identifikohet autori i sulmit vdekjeprurës në Nisë

Autoritetet franceze kanë identifikuar të dyshuarin për një sulm me thikë që la tre të vdekur në qytetin jugor të Nisës.

I dyshuari është identifikuar si Brahim Aouissaoui, një tunizian 21-vjeçar.

Sipas BBC-së dhe Reuters-it, Aouissaoui mbërriti me anije në ishullin italian të Lampeduzës në shtator. Pasi përfundoi një periudhë karantinë për koronavirusin, atij iu tha të ikte nga Italia. Ai mendohet se arriti në Francë më herët këtë muaj.

Aouissaoui nuk ishte në listën e militantëve të dyshuar nga Tunizia dhe nuk ishte i njohur nga shërbimet e zbulimit francez, tha Reuters.

Sulmi po trajtohet si një akt terrorizmi dhe Franca ka ngritur alarmin e saj të sigurisë kombëtare në nivelin më të lartë.

Zyrtarët thonë se sulmi ndodhi të enjten në mëngjes në kishën Notre Dame të Nisës. Dy persona vdiqën brenda kishës, thonë zyrtarët, dhe të paktën njërit prej tyre iu pre koka. Një person i tretë, i cili u plagos rëndë, arriti të largohej nga kisha, por vdiq pak më vonë.

Në një zhvillim tjetër, policia qëlloi për vdekje një burrë të armatosur me thikë në qytetin jugor francez Avignon. Dhe në Arabinë Saudite, një burrë u arrestua pasi plagosi një roje para konsullatës Franceze në Jeddah.

Kryebashkiaku i Nisës, Christian Estrosi e karakterizoi sulmin në qytetin e tij si një incident terrorist. Ai tha se ishte përsëri viktimë e asaj që ai e quajti islamo-fashizëm. Ai tha se i dyshuari, i dërguar në një spital pasi u plagos gjatë një arrestimi policor, vazhdoi të thoshte “Allahu Akbar” gjatë ndalimit.

Sulmi vjen ndërsa Franca përgatitet të fillojë një periudhë tjetër masash shtrënguese për t’u mbrojtur nga koronavirusi – dhe pas dy sulmeve të tjera me thikë, për të cilat po ashtu janë përgjegjës islamikët radikalë dhe të cilat janë të lidhura me karikaturat e Profetit Muhamed. Në një nga sulmet, mësuesit Samuel Paty iu pre koka pranë Parisit.

Po ashtu goditja e fundi, është më e fundit në një numër sulmesh terroriste islamike që ka prekur Francën në vitet e fundit, përfshirë një sulm xhihadist 2016 në Nisë.

Mbrojtja e fundit që i bëri Presidentit Emmanuel Macron karikaturave të Profetit Muhamed në emër të fjalës së lirë ka shkaktuar protesta dhe bojkot në një numër vendesh myslimane. Shumë myslimanë janë shumë të ofenduar nga karikaturat. Por në Francë, mijëra njerëz janë grumbulluar në mbështetje të shprehjes së lirë, përfshirë disa udhëheqës të shquar myslimanë.

Asambleja Kombëtare e Francës mbajti një moment heshtje për viktimat e sulmit të fundit dhe udhëheqësit myslimanë francezë i nxitën besimtarët të anulonin të enjten festimet për ditëlindjen e profetit Islam. Qeveritë evropiane dhe të tjera gjithashtu kanë dërguar mesazhe ngushëllimi dhe kanë dënuar sulmet në Nisë./VOA